Lirohet Bashkim Osmani, i akuzuar për pastrim të parave nga tregtia e drogës

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Bashkim Osmani është liruar nga burgu në Palma de Mallorca të martën mbrëma, pasi është paguar një dorëzani prej 400 mijë euro, raporton “Mallorca Zeitung”.

Organizatori i dyshuar i një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave të kokainës e kaloi natën e të mërkirës në villën e tij në Camp de Mar. Ai kishte qëndruar afro tre muaj në paraburgim.

Të martën, gjykata në Palma de Mallorca lëshoi një urdhër të ri duke e zëvendësuar paraburgimin me liri të kushtëzuar. Osmani nuk lejohet të largohet nga Mallorca, po ashtu për të garantuar qëndrimin e tij në ishull i është konfiskuar pasaporta. Ai duhet të paraqitet në gjykatë në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Vëllezërit Osmani nga Kosova njihet si miliardë të famshëm. Prej vitesh jetojnë në Gjermani, por kanë shtrirë bizneset në Spanjë, Belgjikë e Holandë.

Raportohet si biznesmenë që janë të përfshirë në ndërtimtari, shitblerje të pronave e lojëra fati. Por, në mars vëllezërit Osmani u përmendën si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainën nga Amerika Latine për ta shpërndarë në Evropë.

Bashkim Osmani u arrestua në Kroaci në një aksion në mbarë Evropën më 15 shkurt të organizuar nga Europoli. Në Mallorca, vila e tij, restoranti i tij i famshëm Ritzi në Puerto Portals dhe një nga hotelet e tij në Palma de Mallorca u kontrolluan. Disa persona nga rrethet e tij private dhe të biznesit u arrestuan, përfshirë këtu edhe gruan dhe vjehrrin e tij. Ai u ekstradua në Mallorca dhe ndodhej në paraburgim nga data 2 mars.

Bashkim Osmani ka insistuar në pafajësinë e tij, ndërsa akuzohet se ka pastruar para nga tregtia e kokainës. Sipas hetimeve fillestare thuhet se të ardhurat janë investuar në Mallorca nëpërmjet kompanive nga vende të tilla si Kroacia. Vetëm në sektorin e patundshmërive, vëllimi i pastrimit të parave thuhet se ka shkuar në rreth 35 milionë euro. Paratë banda i investoi edhe nëpër vepra arti. Vetëm në vilën e Osmanit janë siguruar 86 piktura në vaj të artistëve të njohur.

Në vitet 1990-ta, Osmani tash 55-vjeçar dhe tre vëllezërit e tij kishin bërë pasuri nga patundshmëritë dhe jeta e natës nëpër Hamburg. Ai në Spanjë kishte bërë një jetë mjaft të padukshme vitet e fundit.

Të ngjashme