Lirohet me kusht i dënuari për vrasjen e Ukë Bytyçit, Jetullah Kryeziu

Prishtinë | 21 Dhj 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Jetullah Kryeziu, i dënuari me burgim unik prej 18 vitesh e 6 muajsh për vrasjen e ish-kryetarit të komunës së Suharekës nga radhët e LDK-së, Ukë Bytyçit, është liruar me kusht.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë bërë të ditur për KOHËN se Kryeziu është liruar me kusht për 1 vit e 24 ditë.

“Paneli për Lirim me Kusht ka rishqyrtuar me datë 03.04.2020, kërkesën për Lirim me Kusht nga Jetullah Kryeziu, kërkesa e tij është aprovuar nga Paneli dhe është liruar me kusht për periudhën prej 1 vjet e 24 ditë nga dënimi prej 18 vite e 6 muaj dhe është në mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues deri me datë 27.04.2021”, thuhet në përgjigje.

Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me 20 vjet Kryeziun për vrasjen e Ukë Bytyçit, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 27 tetor 2002 në fshatin Leshan, pak orë pasi që u shpall fitues në zgjedhjet lokale për të parin e Suharekës. Me një aktgjykim të vitit 2013, dënimi i ishte zvogëluar në 18 vjet e 6 muaj. Përveç tij, ishin vrarë edhe Bajram Bytyçi dhe Bafti Bajrami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme