Lista Serbe e hidhëruar në artistin beogradas që kundërshton ndryshimin e kufijve

Prishtinë | 06 Pri 2019 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe ka vlerësuar se Sergej Trifunoviq “me nënshkrimin e vet mund të heqë dorë nga toka e babës por jo nga Kosova”, ndërsa në kumtesën që e ka transmetuar TV Most, atë e ka quajtur “të papërgjegjshëm e të papjekur të cilin qytetarët kurrë nuk do të lejojnë që të pyetet ndonjëherë për gjëra kaq të rëndësishme”, transmeton Koha.net.

Kumtesa e Listës Serbe u publikua pas deklaratës së Sergej Trifunoviqit për agjencinë FoNet në të cilën kishte thënë se “marrëveshja me shqiptarët e Kosovës, bashkëjetesa dhe politika e pajtimit janë zgjidhje të vetme të mundshme për Serbinë” dhe se “kompromisi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm”.

Trifunoviq në pyetjen nëse Serbia duhet ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, është përgjigjur:

“Nuk kam asgjë kundër që ta nënshkruaj atë dokument nëse (Kosovën) e njohin Rusia, Kina, Qiproja, Sllovakia, Spanja…”.

Lista Serbe lidhur me këtë ka vlerësuar se “është i mjerë politikani serb i cili me nënshkrim do ta përkrahte anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe i cili qëndrimin ndaj pjesës së territorit të vet e ka të varur nga qëndrimi i disa shteteve të tjera”.

“Trifunoviq mund të vazhdojë së vëni nënshkrimin kur të pijë nëpër klubet e natës të Beogradit, por as mos të ëndërrojë se nënshkrimi i tij do të jetë ndonjëherë relevant për territore serbe”, ka theksuar Lista Serbe.

Në kumtesë, kjo parti parlamentare e Kosovës e quan “dyfytyrësi thirrjen e Trifunoviq për kompromis ndërsa që njëkohësisht e kundërshton ndryshimin e kufijve”, me vlerësimin se “kushdo që apriori e kundërshton kufizimin, ai është avokat i pavarësisë së Kosovës në kufijtë aktualë të vendosur me dhunë”.

Kryetari të Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (Pokret slobodnih građana – PSG) Sergej Trifunoviq, artist me profesion, ka thënë se ndryshimi i kufijve do të krijonte situatë të ngjashme me atë në Gazë, ndërmjet Izraelit e Palestinës, përcjell Koha.net.

“Kufijtë e rinj janë njësoj si konflikti”, ka thënë Trifunoviq.

Të ngjashme