Lladrovci: Asnjë tendencë për të njollosur UÇK-në s’mund të ketë sukses

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se asnjë tendencë për të njollosur UÇK-në s’mund të ketë sukses.

Ky reagim i tij vjen pas aktaktuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë! Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë”, ka shkruar Lladrovci.

Ai thotë se tashmë, të gjithë drejtuesit madhorë të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen.

“Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë. Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!”, ka shkruar ai.

Të ngjashme