Lladrovci dhe Jashari bëjnë homazhe në Prekaz, shprehin ngushëllime për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Prekaz | 28 Nën 2019 | 10:04 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e festës së 28 Nëntorit, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”,  në Prekaz, raporton Ekonomia Online.

Lladrovci dhe Jashari kanë shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit të së martës që goditi Shqipërinë.

Kryetari i Komunës Skenderajt, Bekim Jashari, tha se kësaj here festat e Nëntorit po i gjejnë me zemër të thyer e shpirt të lënduar.

“Dy komunat bashkë filluam me homazhe për nderë të festave të nëntorit, “Nëntorit të Lavdisë”, kësaj here jemi me shpirt të lënduar e zemër të thyer për vëllezërit dhe motrat në Shqipëri, ne do të mundohemi që sadopak të bëjmë për ta që t’ia kthejmë atë që kanë bërë për neve në kohën e luftës. U uroj festën e shqiptarëve”, ka thënë Jashari.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se edhe pse sot ka festë, mendja është me ato familje që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Është festa më e rëndësishme e kombit tonë. Sot jemi bashkë te dy komunat, ne bashkëndiejmë dhe i thërrasim të gjithë qytetarët për solidaritet për të gjithë ata vëllezër e motra që kanë humbur më të dashurit e tyre. Edhe pse ne jemi në festë me mendje jemi me ato familje që kanë humbur të dashurit e tyre”, tha Lladrovci, raporton EO.

Qytetari Kamer Hajdari  tha se shpreson që së shpejti edhe parku dhe kullat do të rinovohen.

“Kjo ditë është festa për gjithë shqiptarinë. Është dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari, i cili sakrifikoj jetën dhe familjen për vendin tonë. Kompleksi është rregulluar mirë, parku e gjitha, besoj që së shpejti edhe kullat do të intervenohen”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme