Lladrovci: Gjithmonë krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci sot së bashku me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, ka nderuar jetën e veprën e heroit Ilaz Kodra, si dhe përvjetorin e masakrës në Vrbovc dhe Shtuticë, si dhe Memorialin në Marinë, duke vënë kurora me lule dhe duke bërë homazhe.

Lladrovci ka çmuar lart jetën e veprën e heroit Ilaz Kodra, duke qenë shembull i veprimtarit të hershëm, njërit nga nismëtarët e UÇK-së dhe komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Në 21 vjetorin e rënies në altarin e lirisë të heroit Ilaz Kodra, së bashku me kryetarin Kadri Veselin e kemi filluar në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, me vënien e kurorave me lule dhe shprehje nderimi pranë shtatores së heroit për jetën e veprën e tij.

Me nderime kemi vijuar në vendin e rënies së heroit Ilaz Kodra, së bashku me familjarë të heroit dhe kemi vazhduar me homazhe në Vërbovc e Shtuticë, për të shkuar më pastaj në memorialin e Marinës, ku nderuam 287 martirë, dhe 40 dëshmorë.

Së bashku me ne ishin edhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, gjeneral Nuredin Lushtaku dhe deputetët Ferat Shala, Sejdi Hoxha e Bekim Haxhiu.
Jeta dhe vepra e heroit Ilaz Kodra, është shembull i veprimtarit të hershëm, njërit nga nismëtarët e UÇK-së dhe komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.

Ne kemi qenë këtu, prej se është krijuar kjo botë, këtu do të na gjeni gjithmonë, duke u mbrojtur e duke luftuar, duke jetuar e punuar me nder për atdheun tonë, për kombin tonë!

Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë! Lavdi jetës e veprës së heroit Ilaz Kodra!Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të ngjashme