Lladrovci përshëndet lirimin e Lushtakut, riktheu shpresën në drejtësi

Prishtinë | 03 Kor 2017 | 17:41 | Nga

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mirëpritur lirimin e Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime lufte që ishte dënuar me 12 vjet heqje lirie.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se Supremja ua riktheu shpresën në drejtësi.

“Lajmi i shumëpritur nga Gjykata Supreme për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, na riktheu shpresën në drejtësi”, ka shkruar Lladrovci.

“Vlerat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, askush, kurrë askush nuk mund t’i mjegullojë as t’i transformoj në akuza. Liria jonë ishte më e çmueshme se çdo akuzë nga kushdo qoftë”.

“Në rrugëtimin e çlirimit tonë, patëm me vete edhe botën demokratike në krye me NATO-n prandaj, të gjithë servilët, puthadorët dhe shërbyesit e ish sistemit jugosllav, por edhe të partive që duan të fshijnë kujtesën tonë të lavdishme, duhet sot të turpërohen. Mirë se vjen Sami!”, ka shkruar Lladrovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme