Lladrovci: Shtatorja e Heroit Ilaz Kodra, erdhi në vendin që i takon

Drenas | 30 Pri 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 20 vjetorit të rënies së komandantit Ilaz Kodra, në sheshin e Drenasit është bërë përurimi i shtatores së tij ku janë kujtuar edhe 40 dëshmorët e rënë në këtë ditë dhe 278 martirët.

Manifestimi për zbulimin e shtatores së komandantit Ilaz Kodra është mbajtur nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi se bashku me Komunën e Drenasit dhe të Skenderajt.

Në këtë manifestim, kanë marrur pjesë, kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Skenderajt , Bekim Jashari, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, familjar të komandantit Ilaz Kodra, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjar të dëshmorëve e martirëve dhe mijëra qytetarë.

Në fjalën e rastit, kryetari Lladrovci ka kujtuar të
gjithë heronjve, dëshmorët dhe martirët e lirisë!

Fjalimi i plotë i Kryetarit Lladrovci:

“Ilaz Kodra, i takon gjeneratës së parë pas rezistencës paqësore, nga veprimi ilegal, me mjetet e propagandës dhe veprimit aktiv në rezistencë me demonstrata duke e dëshmuar se okupatori nuk ka vend në Kosovë, deri në ditën kur filloi të dëshmonte se liria kalon vetëm nëpër grykën e pushkës.

Këtë e provuan shumë herë uniformat okupatore, që në fillim të viteve të 90-ta, duke u shkrepur rafalët mbi njësitet e rregullta të policisë okupatore.

Kjo luftë titanike, që filloi me Epopenë e Jasharajve, nxiti kombin shqiptar, të merrte historinë e vet në duar të veta, duke e bërë edhe botën demokratike, pjesë të pandashme të lirisë tonë.

Para fillimit të luftës frontale të UÇK-së, Ilazi mori pjesë në betejat si ajo kundër rrethimit të Jasharajve më 30 dhjetor të 1991, duke sulmuar forcat serbe së bashku me Fadil e Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sahit e Musë Jasharin dhe shumë bashkëluftëtarë e qytetarë vullnetarë që kishin ardhur në ndihmë nga fshatrat dhe qytetet rreth Prekazit e Skenderajt duke i hapur rrugë rrethimit të Ademit, Hamzës e Bacës Rifat, me ç’rast në këto luftime është plagosur Vesel Selimi nga Açareva.

Ai mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve, dhe në betejat e njohura si ajo e 6 majit 1997 në Qafë Mullar të Hasit, ku ra heroikisht Luan Haradinaj dhe u plagos rëndë Rafet Rama dhe lehtë Fehmi Lladrovci e Ramush Haradinaj.

Ilazi mori pjesë edhe në betejën e Rezallës së Re, që udhëhiqej nga Abedin Rexha e më vonë nga Adem Jashari me bashkëluftëtarët e tij, ku forcat serbe për dy ditë rresht u thyen keq dhe u tërhoqën me turp duke vrarë në shkollë mësuesin Halit Geci.

Kjo betejë në Rezallën e Re, i hapi rrugë daljes publike të UÇK-së që në zemër të Drenicës më 28 nëntor 1997 i dërgoi botës mesazhin e fuqishëm se ky popull nuk duron robëri. Ky mesazh u përçua përmes Rexhep Selimit, Daut Haradinajt dhe Mujë Krasniqit nën mbështetjen e fuqishme të Adem Jasharit, Ilaz Kodrës e qindra ushtarëve të UÇK-së.

Ilazi mori pjesë edhe në betejën tjetër kundër forcave Serbe që kishin rrethuar për të dytën herë familjen e Adem Jasharit më 22 janar 1998, ku gjatë atyre luftimeve ishin plagosur vajzat e Bacës Rifat, Ilirjana dhe Igballja e cila u vra gjatë luftimeve të 5, 6 dhe 7 marsit në betejën e madhe të Jasharëve.

Ilaz Kodra, mori pjesë edhe në shumë aksione drejtpërdrejtë kundër Policisë serbe, nga vitet 1992 e deri më 1996. Ai ishte ideatori i aksionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryer kundër policisë Serbe në shtator të vitit 1992, vetëm disa dhjetëra hapa mbrapa jush në stacionin e vjetër të Autobusëve.

Ilazi, drejtpërdrejtë mori pjesë edhe në aksionin tjetër të UÇK-së, kundër policisë serbe mbi hekurudhë, mbrapa krahut tuaj të djathtë, 200 metra larg nga shtatorja e tij.


Ky aksion i shtatorit të vitit 1993, u ndërmor në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së 31 Janarit 1990 kur njësitë speciale policore të ardhura enkas nga Beogradi kishin vrarë mbi hekurudhë 3 dhe plagosen 28 demonstrues të pafajshëm dhe duar thatë që kërkonin më shumë liri e demokraci.

Kjo përvojë bëri që ai ta drejtoi me mjaft sukses Brigadën 114, nga themelimi i saj si zëvendës Komandant dhe pas rënies së Fehmiut dhe Xhevës, si Komandant i saj.

Brigada 114, shquhej jo vetëm për beteja me forcat armike si Brigadë heroike me 167 dëshmorë, por edhe në mbrojtje të popullatës civile të fshatrave rrëzë Çiçavicës.

Sot, më 30 Prill, në ketë ditë, me nderim, kujtojmë edhe 58 dëshmorët e Drenasit dhe Skenderajt dhe mbi 200 martirët, duke u zotuar se do të punojmë së bashku që të rrisim punën tonë në shërbim të qytetarit, vlerën e lirisë tonë, vlerën e shtetit tonë, mundësinë për lumturi dhe gjasa të barabarta, me perspektivë për të rinjtë tanë dhe secilin qytetar.

Ndaj heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, ne ndjejmë detyrim të përjetshëm, sepse, ata me vetëdije sakrifikuan jetën e vet, për lirinë e popullit të vet, andaj, në këtë liri që po e gëzojmë, ne me gjithë mundësitë, do të punojmë që idealet e tyre të jetësohen.Këto shtatore që po ngritën e do të ngritën në Drenas, po bëhen me ndihmën e donatorëve pa e shpenzuar asnjë cent të buxhetit të komunës apo të shtetit.

Me këtë rast dua t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë ata donatorë që ndihmuan për ta bërë të mundur derdhjen në bronz të heronjve, duke i përjetësuar ata në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

I përjetshëm është kujtimi ndaj të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë! Lavdi jetës dhe veprës së heroit Ilaz Kodra! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme