Lluka: Do të kërkojmë që informacionet e arkivave të ushtrisë serbë t’i jepen Komisionit për të pagjeturit (Video)

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës ditë të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme, e ka miratuar Platformën për dialogun me Serbinë.

Në këtë platformë përveç temave të tjera që do të bisedohen me Serbinë, në fokus do të jetë edhe çështja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se pas miratimit të kësaj platforme kanë arritur që me delegacionin t’i koordinojnë punët.

“Të gjitha informatat ne ua kemi dhënë delegacionit dhe tani më dihen kërkesat tona, por gjithashtu edhe atë çka mundet pala tjetër të kërkoj. Ne jemi shumë të hapur për çdo lokacion në Kosovë, nuk kemi asnjë tabu. Kemi qenë në Landovicë, pastaj në Zallç, të hënën do të shkojmë në Gjakovë në Piskotë, të martën diku tjetër, vazhdon puna. Në urdhëresat e prokurorit, edhe Instituti edhe ne si Komision përgjigjemi menjëherë, nuk ka asnjë problem për ne”, ka thënë ai.

Sipas tij çështja e zbardhjes së personave të pagjetur do të jetë njëra ndër prioritetet e dialogut.

“Unë besoj që me këtë punë që e ka bërë delegacioni, komisioni qeveritar, dhe të gjithë ata që janë angazhuar e kemi një material të rëndësishëm. Të mos e quaj prioritet numër një, por ndër prioritetet kryesore është çështja e zbardhjes së fatit të njerëzve tanë”, ka theksuar ai.

Lluka ndër të tjera tha se në dialog do të kërkojnë nga Serbia që informacionet nga arkivat e ushtrisë serbe t’u jepen delegacionit dhe komisionit.

“Kërkesa është shumë e qartë. Serbia ka informacione për njerëzit tanë. Asnjë njeri në Kosovë nuk është marr aty për aty, nuk është dërguar në Serbi pa ndonjë plan. Arkivat e ushtrisë serbe dinë saktë për çdo njeri tanë ku është. Ne do të jemi këmbëngulës që informacionet nga arkivat e ushtrisë serbe dhe të policisë, të jenë në dispozicion të komisionit dhe delegacionit, që të mund të zbardhet fati i njerëzve tanë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme