Xhaka e Rashica deklarohen para miqësores në Prishtinë, nderohen me “Çelësin e Prishtinës”

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 11:47 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Yjet e futbollit shqiptar, Granit Xhaka dhe Milot Rashica do të krijojnë nga një skuadër me shokët e tyre për t’u përballur me njëri-tjetrin dhe për të dhuruar spektakël për futbolldashësit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Para kësaj përballje yjesh në një konferencë për media është bërë publike edhe formacioni zyrtar i të dyja skuadrave ku do të marrin pjesë edhe yjet kosovarë të futbollit dhe muzikës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, lojtarëve u ndau çmimin “Çelësi i Qytetit”, për promovimi që këta po i bëjnë qytetit të Prishtinës në botë.

Ai tha se interesimi për bileta ëshët shuëm i madh.

“Kjo është pjesë e 20/20 20 aktivitete të 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës. Interesimi ka qenë i madh për bileta për këtë lojë. Mund t’i quaj ambasadorët më të mirë që i ka Kosova. Asnjëherë nuk e harroni me potencu se prej nga vini prandaj është nder që iu kemi këtu. Duke e pa interesimin sivjet besoj që do ta bëjmë lojë vjetore”, tha Ahmeti.

Granit Xhaka, përfaqësues i kombëtares së Zvicrës, tha se kjo do të jetë ndeshje e bukur.

“Është kënaqësi me qenë këtu me miq në një linjë humanitare për shumë familje të tjera. Jam shumë krenar me kombëtaren e Kosovës si është duke vazhdu. Do të bëjmë një ndeshje shumë të bukur sot”, tha ai.

Xhaka është pyetur se si do të ndihej nëse një ditë ai do të duhet të luajë me Zvicrën kundër Kosovës.

Teksa ka thënë se është tejet krenar me kombëtaren e Kosovës dhe sukseset e saj, Xhaka ka thënë se edhe në kombëtaren e Zvicrës ndihet si me qenë në Kosovë pasi ka shumë shqiptarë.

“Unë gjithmonë pushimet gjithmonë i bëj këtu. Ndihem shumë mirë kur vi këtu. Kam shumë shoqëri. Kënaqna, dhe prapë nisi sezonin me klub e kombëtare. Vetë do të jem prezent në ndeshjen Angli – Kosovë. Jam shumë, shumë krenarë me këta shokë, djem. Shanset janë shumë të mira për kualifikim në Evropian. Shpresoj se mund ta arrijnë atë qëllim. Ka qenë ndjenjë shumë e vështirë kundër Shqipërisë, sidomos kundër vëllait. Në rast me Kosovën është shumë vështirë të përgjigjem. Prindërit i kam këtu, kam lind atje, por e ndiej veten si shqiptar. Të luash kundër Kosovës duhet të jetë ndjenjë e veçantë, por e kemi detyrë të luajmë e siç thamë më herët, më i miri të fitojë”, ka thënë ai, raporton EO.

Milot Rashica nga përfaqësuesja e Kosovës u shpreh i kënaqur me lojën që do të zhvillohet sonte.

“Është kënaqësi shumë e madhe që kam rastin sot me qenë me juve. Është ditë e rëndësishme për të gjithë dhe shpresoj me u kënaq publiku dhe në fund fiton më i miri”, tha ai.

Boksieri Haxhi Krasniqi i cili sonte do të marrë pjesë si lojtar futbolli tha se është krenar që luan krah këtyre lojtarëve.

“Këta vijnë prej shtetit amë, është krenari e madhe të jem në mesin e tyre. Jam shumë i kënaqur që marr pjesë sonte”, tha ai.

Ndërsa këngëtari Ledri Vula tha është nderë për të që do të luaj përkrah lojtarëve më të mirë.

“Ne jemi duke u rritë e duke i pa djemtë duke luajtur. Sot është ditë e veçantë duke qenë vetë pjesë e lojës. Futbollin e kam luajt prej moti, më kanë thënë që kam talent, por prej pjesës së epërme të trupit, me këmbë jo”, tha ai, raporton EO.

Skuadra e udhëhequr nga Milot Rashica do të ketë në vete ish-futbollistë si Shefki Kuqi pastaj futbollistët si Armend Dallku , Ermir Lenjani e të tjerë, boksierin Haxhi Krasniqi por edhe këngëtarë e figura tjera të njohura nga skena publike.

Skuadra e Rashicës do të udhëhiqet nga Ismet Munishi.

Ndërsa skuadra e futbollistit Granit Xhaka përbëhet nga lojtarët Mërgim Mavraj, Debatik Curri si dhe babai i yllit të muzikës botërore, Dua Lipa, Dukagjini.

Kjo skuadër do të menaxhohet nga trajneri Afrim Toverlani.

Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:00 ndërsa mjetet e mbledhura nga pagesa e hyrjes do të dedikohen për ndihmën e 10 familjeve në nevojë.

Të ngjashme