Lokalet shtrenjtojnë kafetë para ardhjes së mergimtarëve

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 22:23 | Nga

Derisa para dy ditësh në Ferizaj, qytetarët kanë mundur ta pijnë një kafe me 50 cent, nga dje ky fakt ka ndryshuar. Shumica e kafeterive në qendër të qytetit, kanë filluar të aplikojnë një çmimore të re të shërbimeve.  Prej 0.50 centi, në 70 cent është bërë edhe një shishe  e vogël e ujit. Kjo ngritje e çmimeve po ndikon më së shumti tek qytetarët, të cilët shprehen të habitur se si në këtë gjendje të vështirë ekonomike, bizneset hoteliere e kanë marrë një vendim të tillë.

“Nuk është në rregull ngritja e çmimeve, pasi që dihet buxheti i qytetarit dhe rrogat janë të ulta, sidomos të rinjtë që mezi i bëjnë 50 cent me dalë për ta pirë një kafe, e tash kjo kafe t’ju kushtoj edhe më shumë. Ndoshta bizneset i kanë arsyet e veta por megjithatë ngritja është shqetësuese. Unë kafe pi edhe në Shkup, por në shumicën e vendeve ajo më kushton 50 cent”, tha Ramadan Adem, qytetar i Ferizajt.

“Shumë keq, papunësi e madhe po çmimet i kanë hyp, për rininë mos vet kush. Mezi e kena prit këtë kohë vere me dalë e mu argëtu pak. Çmimet po ia rëndojnë edhe më shumë jetën dhe gjendjen ekonomike qytetarëve. Jo veç kafet, por çmimet gjithkah po rriten, po gënjejnë me disa oferta por prapë se prapë kur shkon te arka çmimet janë enorme”, tha një tjetër qytetar.

“Shumë keq, ndoshta për ata që kanë nuk e marrin vesh këtë ngritje, por për studenta shumë keq, pasi që mezi i bëjnë 50 cent me dal me pi një kafe”, tha Genta nga Ferizaj.

Shumica e pronarëve të kafeterive të cilat i ngritën çmimet e kafes, të ujit dhe pijeve të tjera, as që donin të prononcoheshin për këtë vendim që  e kanë marrë. I vetmi që pranoi ta sqaroj këtë qëndrim ishte  Armend Pajaziti nga kafeteria “N’dritare”. Ai tha se vendimi është marrë individualisht nga secili biznes, ndërkaq, shtoi se janë një varg arsyesh pse u dashtë t’i rrisin çmimet e shërbimeve.

“Prej momentit kur ka filluar ngritja e akcizes në alkool, 65 përqind është ngritur vetëm në qershor të vitit të kaluar, që kjo është një kosto e lartë për neve. Pastaj është ngritur rryma, derisa unë para katër viteve kam paguar rrymë 450 euro, tash paguaj 900-950, pastaj është rritja e pagës minimale, e rritja e TVSH –së nga 16% në 18 %, e kështu me radhë. Po ashtu kemi edhe arsye shumë logjike që ne i rritëm këto çmime”,tha Pajaziti

Pajaziti tha se ngritja e çmimeve, do ta rrisë edhe cilësinë e shërbimit. Madje sipas tij kjo është edhe ideja kryesore e kësaj kategorie të afaristëve.

“Me këtë rritje të çmimeve do të kemi mundësi edhe për cilësi më të mirë. Unë për vete tash e katër vite kam ndërruar vetëm shtrafa të karrigeve, asgjë tjetër s’kam mundur të renovoj, ose për mungesë të buxhetit ne mundohemi t’i marrim edhe makinat e vjetra, si ato të larjes, ato që bëjnë makijaton e kështu me radhë”, tha  Pajaziti.

Si duket çmimin e shërbimeve tash për tash e kanë ngritur vetëm kafenet që janë afër bulevardit, pasi që pak metra më lartë, qytetarët sot kanë pirë kafe me çmime të vjetra. Një nga to është edhe kafeteria ‘’Premiera’’, ku përfaqësuesit e saj thonë se për t’i rritur çmimet, fillimisht do të dakordohen me fqinjtë e tyre.

“ Ne s’kemi marrë kurrfarë vendimi, sot jemi duke punuar me çmime të vjetra. Nuk mund ta arsyetoj a kanë bërë mirë apo keq bizneset e tjera, por mund të them se ne lokalet që jemi më larg qytetit do të grumbullohemi dhe së bashku do të vendosim për çfardo vendimi që do ta zbatojmë”, tha Asllan Agushi.

Derisa qytetarët ankohen, e bizneset arsyetohen për çmimoren e re, në anën tjetër një pjesë e mërgimtarëve që tashmë kanë ardhë për pushime në Ferizaj, thonë se çmimet janë bërë pikërisht për ta.

Të ngjashme