Lufta e shtetit ndaj lëmoshëkërkuerjes, Murati: E rëndë situata

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Situata në Kosovë me rastet e fëmijëve lëmoshëkërkues, është shumë e rëndë, po vlerëson Riza Murati, shef i sektorit qëndror të Hetimeve në Drejtorinë për hetimin e trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës.

Ai në Info Magazine, u shpreh se për këtë, Policia e Kosovës, ka organizuar edhe kampanja vetëdijësuese, ku u kërkohet qytetarëve që t’mos u jepen para fëmijëve të cilët i hasin në rrugë, njofton Klankosova.tv.

”Situata me të cilën po ballafaqohemi është e rëndë. Dhe kemi një numër të madh të rasteve të fëmijëve në rrugë. Ne e dimë që ka në çdo vend të botës formë të kërkimlëmoshës, por ajo çfare e kemi tek ne është vërtetë formë e rrezikut për fëmijë që dalin në rrugë dhe mënyra se si ata kërkojnë lëmoshë shihet shumë qartë”.

”Ka shumë faktorë që ndikojnë pse ata janë në rrugë, por në bazë të mandatit që ne kemi, ne duhet të reagojmë. Janë 27 raste, kallëzime penale që kanë shkuar në prokurori. Një rast ka qenë trafikim në njerëz ndërsa si statistikë që ne kemi identifikuar, janë 107 fëmijë që janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugët e qyteteve të Kosovës por që numri më i madh i tyre është nëpër qytetet kryesore”.

”Kur është fëmija në rrugë, veprohet në interesin më të mirë të fëmijës. Kemi pa shembuj të mirë, që në momentin kur është arrestuar si prind, e ka kuptu se s’duhet vepruar ashtu asnjëherë”.

”Ne kemi një spot, ku kemi kërkuar nga qytetarët që të vetëdijësohen që të mos japin para fëmijëve në lëmoshë, t’u heqen paratë nga duart e fëmijëve sepse ata mund të abuzohen qoftë nga prindi, apo qoftë nga trafikantët”.

Të ngjashme