‘Luftë për pragun e shtëpisë’: Flasin mbështetësit e Thaçit nga Haga

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 20:22 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është intervistuar në Hagë, me ftesë të Prokurorit  të Specializuar, ndërsa para hyrjes së Gjykatës Speciale e kanë pritur shumë mbështetës, të cilët u shprehen se janë aty për t’i treguar botës se Hashim Thaçi dhe ushtarët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës janë të pafajshëm.


Një pjesë e tyre kishin udhëtuar nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër jetonin në shtetet europiane fqinje. Korrespondeti i Euronews Albania, Ernest Bunguri pyeti disa prej tyre lidhur me arsyen që i kishte nxitur ata të ishin të pranishëm aty.

Disa prej tyre u shprehen se kanë shkuar pranë Gjykatës Speciale për të shprehur pakënaqësinë ka bërë bashkësia ndërkombëtare.

“Kemi ardhur këtu për të shprehur një pakënaqësi me diçka që na ka bërë bashkësia ndërkombëtare.  UÇK ka qenë ushtri çlirimtare, ka mbrojt interesat e popullit shqiptar… Jemi këtu për t’i treguar botës se Hashim Thaçi dhe ushtarët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës janë të pafajshëm,” tha për Euronews Albania, Visar Moni, ish-ushtar i UÇK në zonën e Dukagjinit.

Ndërsa një qytetar tjetër tha se në Kosovë kanë ndodhur me shumë se 400 masakra, ndërsa kriminelët e Beogradit nuk i kanë sjellë para gjyqeve dhe këta merren më çlirimtarët tanë.

“Më shumë se katërqind masakra ekzistojnë në Kosovë, akoma kriminelët e Beogradit nuk i kanë sjellë para gjyqeve dhe këta merren më çlirimtarët tanë, të cilët kanë luftuar në vendin e vet, në pragun e shtëpisë së vet, kanë mbrojtur trojet e veta, të parëve të vet, nuk kanë bërë masakra askund, por kanë mbrojtur familjet e veta,” deklaroi Qitaku.

Ndërsa një qytetar tjetër tha se e shihte gjyqin ndaj Thaçit me qëllime politike për të njollosur UÇK dhe simbolin e shtetit të Kosovës.

Vlen të theksohet se sot Presidenti Thaçi është intervistuar rreth 6 orë nga Gjykatësi i Dhomave të Specializuar, ndërsa intervistimi i tij do të vazhdoj edhe nesër.

Të ngjashme