Luksemburgu dhe UNICEF, 1.5 milionë euro për t’i fuqizuar shërbimet shëndetësore në Kosovë

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Gjatë Javës Botërore të Imunizimit, kemi kënaqësinë që të shpallim fillimin e investimit të ri nga Qeveria e Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in në vlerën prej 1.5 milionë euro për t’i fuqizuar shërbimet shëndetësore për nënën dhe fëmijën në Kosovë përgjatë periudhës së ardhshme dyvjeçare. Partneriteti mbështet zgjerimin e programit të vizitave në shtëpi që zbatohet nën udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka për qëllim sigurimin e fillimit më të mirë të jetës për të gjithë fëmijët dhe prindërit. Ky është zgjerim i programit i cili ka arritur me sukses mbi 50,000 fëmijë në 27 komuna gjatë pesë viteve të kaluara.

Objektivi i partneritetit është që të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore dhe të zhvillimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët që janë më të rrezikuar dhe prindërit e tyre duke:
• zgjeruar mbulimin me programin e vizitave në shtëpi në 38 komuna deri në vitin 2022;
• siguruar që në secilën komunë, të gjitha gratë shtatzëna dhe fëmijët nën moshën 2 vjeçare pranojnë gjithsej 7 vizita në shtëpi për t’i mbështetur familjet në 1000 ditët e para të jetës së fëmijës;
• siguruar arsimin dhe mbështetjen e familjes dhe referimin dhe koordinimin me skemat për mbështetjen e komunitetit, kryesisht për shëndetin, mirëqenien sociale dhe arsimin.
Pandemia COVID-19 e ka vendosur ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për të posalindurit dhe nënat në një provë reale, ku nënat shpesh hezitojnë dhe frikësohen që t’i vizitojnë institucionet shëndetësore për problemet shëndetësore joemergjente. Falë partneritetit afatgjatë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, UNICEF-it dhe falë mbështetjes zemërgjerë nga Qeveria e Luksemburgut, UNICEF-i ka qenë në gjendje që ta shkallëzojë mbështetjen për Ministrinë e Shëndetësisë gjatë pandemisë, përfshirë zgjerimin e këshillimit dhe shërbimeve telemjekësore nëpërmjet programit të vizitave në shtëpi në 17,218 fëmijë tjerë të moshës 0-3 vjeçare dhe 2,063 grave shtatzëna në të gjitha 27 komunat. Përveç kësaj, partneriteti ka mbështetur rifillimin e programit rutinë të imunizimit, ka organizuar fushata derë më derë për imunizimin për fëmijët më të margjinalizuar dhe ka ofruar mbështetje kritike emergjente në sistemin shëndetësor në përgjigje ndaj COVID-19. Rreth 5,000 punëtorë shëndetësorë janë pajisur me pajisje personale mbrojtëse dhe 40 qendra të kujdesit parësor shëndetësor janë pajisur me përqendrues të oksigjenit për trajtimin e pacientëve. Mbështetja e re do të mundësojë mbështetjen dhe konsolidimin e programit kritik për ta siguruar mirëqenien për të porsalindurit dhe nënat gjatë pandemisë së vazhdueshme dhe më tej.
Unë jam i kënaqur dhe i nderuar që takohem me UNICEF-in dhe Qeverinë e Luksemburgut, partnerë të çmuar dhe më të qëndrueshëm dhe afatgjatë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ne kemi një qëllim të përbashkët dhe ai është shëndeti dhe mirëqenia e nënave dhe fëmijëve në Kosovë, i cili është gjithashtu një prioritet afatgjatë i Qeverisë sonë. Përveç që është programi më i mirë në parandalim dhe edukim, programi i vizitave në shtëpi është një investim në vitet e para të jetës së fëmijës, me kthim të lartë në arsim dhe shëndetësi, në fazat e mëvonshme të jetës. Unë kam qenë dëshmitar i ndikimit të programit të vizitave në shtëpi në jetën e fëmijëve dhe familjeve në shumicën e zonave rurale, ku është nevoja, prandaj keni angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe angazhimin tim personal për të vazhduar zbatimin e një programi kaq të rëndësishëm -tha Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Z. Arben Vitia.

“Përderisa e shënojmë Javën Botërore të Imunizimit, do të dëshiroja të theksojë që të gjitha vaksinat janë të rëndësishme. Vaksinimi kundër COVID-19 është i rëndësishëm, sikurse që është njëjtë e rëndësishme për Kosovën që të fokusohet në vazhdimin e shërbimeve dhe fushatave për imunizimin e fëmijëve, përfshirë vaksinimin kundër COVID-19 dhe atë rutinë. Vaksinat na kanë mbrotjur nga sëmundjet që i rrezikojnë jetët,” tha Murat Sahin, Udhëheqës i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
E ngarkuara në detyrë e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Znj. Natacha Gomes i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që ta vazhdojë angazhimin e saj për shkallëzimin dhe sigurimin që programi i vizitave në shtëpi të shtrihet në tërë Kosovën dhe e përfshinë parimin “asnjë fëmijë nuk mbetet mbrapa” në prioritetet kombëtare dhe zvogëlon vdekjet e parandalueshme të fëmijëve, veçanërisht për fëmijët më të cenueshëm dhe për të kontribuuar në rritjen e shkallës së imunizimit, përmirësimin e kujdesit neonatal dhe për fëmijët dhe zhvillimin gjithëpërfshirës dhe mirëqenien e fëmijëve në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë, Qeveria e Luksemburgut dhe UNICEF-i zotohen për vazhdimin e këtij partneriteti për të siguruar që çdo fëmijë merr shërbime cilësore shëndetësore dhe për të punuar për fuqizimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e rezultateve shëndetësore të fëmijëve gjatë dhe pas pandemisë COVID-19.
UNICEF-i do të vazhdojë mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë në zbatimin e planit kombëtar për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe luftës kundër COVID-19. Siç u deklarua më herët, UNICEF-i, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe Ministrinë e Shëndetësisë do t’i sjellë 72,000 doza të vaksinës AstraZeneca dhe 100,000 doza të vaksinës Pfizer nëpërmjet COVAX gjatë muajit maj dhe qershor të vitit 2021.

Të ngjashme