Luksemburgu ka ndihmuar Kosovën më së shumti ndër vendet e Ballkanit

Luksemburg | 09 Dhj 2017 | 11:27 | Nga

Në kuadër të vizitës zyrtare në Luksemburg të ministrit të Financave, Bedri Hamza është takuar me ministrin e Bashkëpunimit Zhvillimor të Qeverisë së Luksemburgut, Romain Schneider, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë të Bankës Evropiane për Investime, ku është diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ministri Hamza gjatë takimit e njoftoi ministrin Schneider për progresin që ka bërë Kosova në përgjithësi, si dhe për zhvillimin e projekteve në të cilat ka ndihmuar Qeveria e Luksemburgut e që po zhvillohen në Kosovë.

Ai gjithashtu theksoi se ndihma e Luksemburgut në fushën e politikës, diplomacisë dhe posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik është e mirëseardhur dhe si rezultat i kësaj qytetarët e Republikës së Kosovës po përfitojnë nga të mirat që ofrojnë projektet e financuara nga qeveria e Luksmburgut.

Ndërsa, ministri i Bashkëpunimit Zhvillimor të Luksemburgut, Romain Schneider është shprehur i lumtur për ndihmën që ka ofruar qeveria e Luksemburgut, si dhe veçoi se shuma e ndihmës së ofruar nga qeveria e Luksmburgut për Kosovën është më e madhja në rajonin e Ballkanit, dhe se kjo ndihmë do të vazhdojë, sidomos në mbështetjen e fushave të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas një komunikate të MF-së, ministri Bedri Hamza gjithashtu sot u takua edhe me zyrtarë të Bankës Evropiane për Investime, ku gjatë takimit i njoftoi ata për stabilitetin financer në Kosovë, për përgatitjet buxhetore të bëra nga qeveria e Kosovës, progresin e arritur në projektet e financuara nga Banka Evropiane Investive, si dhe për mundësitë e reja për të investuar në projektet më prioritet për shtetin e Kosovës.

Ndërsa, drejtori Miguel Morgado u shpreh i kënaqur për dinamikën e zhvillimit të projekteve në Kosovë. Kurse sa i përket projekteve të reja, drejtori Morgado tha se Banka Evropiane për Investime është në dispozicion e Kosovës për projektet e reja të cilat identifikohen si prioritet nga ana e qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme