“Lulëzojnë” martesat për letra, të shqiptarëve të Kosovës

Prishtinë | 30 Sht 2016 | 13:02 | Nga

Prejse Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë shpallur nga BE-ja si vende të sigurta, në Luksemburg po “lulëzojnë“ martesat fiktive, shkruan luxprivat.lu.

Ministrat dhe kryebashkiakët ende nuk kanë dhënë ndonjë shenjë kundërshtimi, ndërkohë që edhe për laikët e çështjeve administrative është fare e lehtë të kuptohet motivi i këtyre martesave.

Si shembull: Azilkërkuesi nga Kosova, Elez T., asokohe 26-vjeçar, martohet me luksemburgasen 56 vjeçare Catherine H., transmeton albinfo.ch. Pas pesë vitesh ai shkurorëzohet nga ajo. Sepse, saktësisht atëherë (pas pesë vitesh martesë) Elezi e merr lejen afatgjatë të qëndrimit në Luksemburg.

Vetëm tre muaj pas divorcit, ai martohet me një azilkërkuese nga një qendër azili, shkruan më tej portali i përmendur.

Shembulli më markant në këtë drejtim, është ai i shqiptarit Petrit C. Në vitin 2010, pas tri vitesh martesë, shkurorëzohet nga gruaja e tij në vendlindje dhe vjen në Luksemburg. Gruaja dhe vajza njëvjeçare mbeten në shtëpi.

Pas vetëm dy muajsh ai martohet me Ursula H, një grua njëzet vjet më e vjetër se ai, nga Luksemburgu. Edhe këtu modeli i njëjtë: pasi kalojnë saktësisht pesë vjet, vjen divorci. Dhe, vetëm pas një muaji ai martohet sërish me ish-gruan! Kulmi i kësaj afere është kjo: që në kohën sa ishte i martuar me Ursulën, Petriti ka nisur me ish-gruan edhe një vajzë tjetër.

Në rastet sikur ky, alarmi duhej të ndizej te secili zyrtar përgjegjës. Por, as kryebashkiakët dhe as zyrtarët nëpër Ministri nuk e lodhin kokën lidhur me shkurorëzimet e “çuditshme” që ndodhin saktësisht pas pesë viteve dhe me martesat me ish-partneret që pasojnë shumë shpejt pas kësaj! Reagime nuk ka, ndërkohë që Luksemburgu ka mundësinë ligjore për t`i dhënë fund kësaj tollovie.

Sipas ligjit, një personi të huaj mund t`i merret leja e qëndrimit kur të konstatohet se ai ka bërë martesë fiktive për të siguruar qëndrimin në Luksemburg, ose në rastet kur këta nuk jetojnë së bashku.

 

Të ngjashme