Lumezi e ambasadori i Zvicrës diskutojnë për vazhdimin e partneritetit në funksion të sundimit të ligjit

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka pritur në takim Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi njoftoi Ambasadorin Kolly për funksionimin, të arriturat dhe sfidat e sistemit prokurorial, për progresin në fushën e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe për çështjet thelbësore me të cilat po përballen, veçanërisht në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në takim ishin edhe procesi i reformave legjislative dhe vazhdimi i partneritetit në projektet e përbashkëta mes Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, me theks të veçantë atë kundër korrupsionit në Kosovë, i njohur si SAEK-III, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ), me të cilin Prokurori i Shtetit, për më shumë se një vit, ka bashkëpunim profesional në gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të shtetasve kosovarë, të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

Në anën tjetër, Ambasadori Kolly, ka shprehur mbështetjen e tij dhe të vendit të tij për ta ndihmuar institucionin e Prokurorit të Shtetit në fusha të ndryshme.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit falënderoi Ambasadorin e Zvicrës për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial, duke e vlerësuar lart mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Zvicrës, të dhënë për Republikën e Kosovës, veçmas për sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme