Lumezi mban takimin e kolegjiumit të parë për 2022 me kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur takimin e kolegjiumit, në të cilin morën pjesë të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, kryesuesi i Këshillit Prokurorial dhe zëvendëskryeprokurorja e Shtetit.

Pjesë thelbësore e këtij takimi ishte diskutimi për raportet e vlerësimit të performancës së eprorëve për vitin 2021, me ç’rast kryeprokurori Lumezi ka njoftuar kryeprokurorët e prokurorive përkatëse për vlerësimin vjetor të tyre sipas rregullores në fuqi.

Po ashtu, kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët që vlerësimet e bëra për prokurorët e prokurorive që ata udhëheqin të jenë të drejta dhe korrekte, si dhe të shpërndahen në kohë, në mënyrë që të gjithë prokurorët të kenë mundësi t’i paraqesin kundërshtimet e tyre në afatet e parapara ligjore.

Kryeprokurori i Shtetit njoftoi kryeprokurorët edhe për shpalljen e Konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, me ç’rast ka inkurajuar ata që të aplikojnë për këtë pozitë. Gjithashtu, kërkoi nga të njëjtit që t’i njoftojnë të gjithë prokurorët e prokurorive për shpalljen e konkursit, i cili do të jetë i hapur deri më 4 shkurt 2022 dhe, njëkohësisht, t’i inkurajojnë të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Në këtë takim kolegjiumi, u diskutua edhe inicimi i procedurave disiplinore ndaj prokurorëve apo kryeprokurorëve, sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, me ç’rast kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, njoftoi lidhur me miratimin e Udhëzuesit Themelor të Referimit për Organet Parahetuese dhe Hetuese Disiplinore, i cili është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe do t’u shërbejë kryeprokurorëve për t’i trajtuar ankesat e subjekteve të ndryshme që ushtrohen ndaj prokurorëve.

Ndërkaq, kryeprokurori i Shtetit, ka njoftuar gjithashtu kryeprokurorët edhe për objektivat e Planit të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2022.

Në anën tjetër, zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, e cila është edhe koordinatore nacionale për rastet e dhunës në familje, ka kërkuar nga kryeprokurorët që në bashkëpunim me prokurorët e caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje të vazhdojnë trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, duke zbatuar Procedurat Standarde të Veprimit, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ndaj kryesve të këtyre veprave penale, si dhe të rritet koordinimi dhe bashkëpunimi me Policinë dhe mbrojtësit e viktimave.

Në fund, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që të avancohet llogaridhënia, profesionalizmi dhe transparenca e punës së prokurorive që ata drejtojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme