Lumir Abdixhiku për dënimin e Zoran Vukotiq: Drejtësia e vonuar, megjithatë është drejtësi

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë një reagim pas dënimit të Zoran Vukotiq me 10 vite burg për përdhunimin e një gruaje përgjatë luftës së fundit në Kosovë.

Abdixhiku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se megjithatë, edhe drejtësia e vonuar është drejtësi, derisa ka pasur edhe disa fjalë për prokurorinë.

“Zoran Vukotiq është i dënuari i parë në Kosovë për dhunim seksual të një gruaje shqiptare. 10 vjet burg nuk zhbëjnë vuajtjet sistematike të grave e burrave shqiptarë; porse mbesin shenjë e obligimit tonë shoqëror e historik për dëshmim të krimit si krim”, ka deklaruar ai.

“Dënimi i sotëm duhet t’i shërbejë prokurorisë si motiv për t’i sjellë para drejtësisë secilin kriminel që sot mbetet i lirë; e këtyre të fundit për t’u bërë të qartë që një ditë – megjithatë – dora e drejtësisë së Republikës së Kosovës do t’i gjejë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Sipas aktakuzës me të cilën është dënuar, Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

Të ngjashme