Lushtaku, si mbajti nga burgu postin e kryetarit të Skënderajt

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 19:22 | Nga

Sami Lushtaku nga burgu, si i akuzuar për krime lufte, e kishte fituar edhe një mandat të dytë për të udhëhequr me komunën e Skënderajt, raporton KTV.

Ai e mbajti postin e kryetarit pa qenë i pranishëm në vendin e punës, ndërsa edhe pak muaj i përfundon mandati prej kryetari. Lushtaku, ditën e parë në liri e ka kaluar në shtëpi duke pritur shumë njerëz që i kanë uruar lirimin.

E pranon se ishte papërgjegjësi totale të mbante postin e kryetarit nga burgu, por thotë se sikur ta dinte se do të qëndronte aq gjatë aty, nuk do të kandidonte fare.

Lushtaku thotë se qëndroi padrejtësisht në burg për 4 vjet dhe për këtë do të kërkojë dëmshpërblim.

Ai beson se zëvendësi i tij, bashkë me drejtorët përkatës, kanë arritur që me përkushtim t’i kryejnë të gjitha punët që është dashur.

Por, për opozitën, ky mandat i tij ishte i dështuar derisa thonë se edhe sa ishte vetë në pushtet, Lushtaku ka qeverisur dobët.

Për më tepër, zyrtarë të LDK-së thonë se nëse shteti në nivel vendi është kapur nga PDK-ja, në nivel komune është i kapur 100% nga kryetari dhe njerëzit e tij.

Edhe qytetarët e kësaj komune mendojnë se komuna ka ngecur në disa aspekte në mungesë të kryetarit.

Megjithëkëtë, Lushtaku thotë se tash e tutje do të angazhohet maksimalisht në detyrat, të cilat e presin tani e tutje.

Sami Lushtaku në zgjedhjet e kaluara kishte arritur që të fitonte besimin e 90 për qind të qytetarëve të Skënderajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme