LVV: Çmimi Nobel për Peter Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb.

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka thënë se ata e protestojnë dhënien e çmimit nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Komunikata e plotë:

Akademia Suedeze vendosi që për vitin 2019 çmimi Nobel t’i shkojë shkrimtarit austriak Peter Handke. Justifikimi i vendimit që ka marrë akademia ka qenë tërësisht letrar, mirëpo letërsia ka një autor, të cilit i jepet çmimi. E ky autor, Peter Handke, ka qenë mbështetësi më i famshëm i spastruesit etnik, Millosheviqit, gjatë kohës kur elitat ndërkombëtare të kulturës, e më pas edhe ato të politikës, u distancuan dhe e dënuan politikën e tij gjenocidale.

Ç’prej 1996 Handke u angazhua me publicistikë në mbështetje të veprimeve kriminale të Serbisë në Bosnjë, duke u përpjekur të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ku humbën jetën mijëra të pafajshëm. E në 1999, kur miliona shqiptarë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre, Handke doli në përkrahje të Millosheviqit. Në 2006, kur kryeshovinisti serb vdiq i padënuar kurrë, në burgun e Hagës, shkrimtari austriak mori pjesë në ceremoninë funerale, ku mbajti një fjalim lavdërues për Millosheviqin para dhjetëra mijëra adhuruesve të atij krimineli.

Për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, për mbi 12.000 të vrarët gjatë luftës, për mbi 20.000 gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë. Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat.

Lëvizja VETËVENDOSJE! zyrtarisht proteston ndaj dhënies së këtij çmimi për këtë autor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme