Maloku nga Ljubljana: Specialja më ftoi, nuk shkoj se jam i sëmurë

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, sot është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Maloku në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës nga Ljublana ku është duke marrë trajtim mjekësor ka treguar më shumë detaje lidhur me ftesën që i është bërë sot nga Gjykata Speciale.

Ai fillimisht ka dhënë më shumë detaje lidhur me shëndetin e tij.

“Unë jam në një trajtim shëndetësor që nga muaji shtator i vitit të kaluar dhe para dy javëve kam dalë nga spitali. I jam nënshtruar një operacioni të rëndë dhe tani jam në një trajtim pas operacionit”.

“Gjykata Speciale më ka kontaktuar paradite në numrin telefonik të Kosovës, se e kam edhe atë këtu. Më është paraqitur një person i cili ka komunikuar në gjuhën sllovene i cili më pyeti fillimisht se a e kuptoj gjuhën sllovene”.

“Komunikuam në gjuhën sllovene derisa i kërkova që të bisedojmë përmes numrit telefonik të Sllovenisë që e kam”.

“Më tha që jam i ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit dhe unë i tregova për gjendjen time shëndetësore. I tregova që është e pamundur që në dy muajt e ardhshëm të kem lëvizje në ndonjë perimetër më të gjatë sesa disa metra nga banesa”.

Maloku ka thënë se i ka shpjeguar përfaqësuesit të Gjykatës Speciale që gjendja shëndetësore ia pamundëson udhëtimin për t’u intervistuar në Hagë.

“Ata e pranuan si fakt dhe unë ua dhashë emrat e mjekëve që më kanë operuar dhe vazhdojnë të më trajtojnë. Unë do të kthehem më 22 korrik prapë në Institutin e Onkologjisë të Ljublanës për trajtim pas operacionit”.

“Ua shpjegova dhe ua dhashë edhe datat e kontrolleve dhe incizimeve mjekësore që duhet t’i bëj në Qendrën Klinike të Ljublanës dhe në Institutin e Onkologjisë këtu”.

“Ata u pajtuan me këtë. Personi që më ka kontaktuar nga Gjykata Speciale u soll mirë dhe e kuptoj gjendjen time shëndetësore”.

“Nëse duan, mund të kontaktojnë me mjekët dhe ta vërtetojnë edhe nga ata gjendjen time shëndetësore”.

Ai ka thënë se nuk e ka befasuar ftesa që e ka marrë nga Specialja.

“Është hera e parë që Gjykata Speciale kontakton me mua. Kjo ishte telefonata dhe hera e parë që kjo Gjykatë kontakton me mua”.

“Nuk më befasoi asgjë, unë e prita shumë qetë. Nuk kam çfarë ta fsheh as gjendjen time, as para opinionit dhe as para Gjykatës”.

“Unë jam duke u përballur me një sëmundje të rëndë që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Jam në Slloveni dhe trrajtimin jam duke e kryer në Institutin e Onkologjisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Ljublanës”.

Por, ish-eprori i UÇK-së nuk e di se për çfarë rasti është ftuar nga Gjykata Speciale që të dëshmojë.

“Nuk di as për çfarë rasti jam i ftuar dhe ku dhe me çfarë lidhet emri im. Nuk kam kërkuar shpjegime”.

Naim Maloku ka thënë se gjendja e tij shëndetësore ia pamundëson lëvizjen nga vendi ku po trajtohet, prandaj edhe nuk mund të paraqitet pranë Gjykatës Speciale.

Por, ai është shprehur i hapur për intervistim nga kjo Gjykatë, në rast se përfaqësuesit e kësaj të fundit shkojnë në Ljublanë të Sllovenisë ku edhe është duke u trajtuar.

“E kanë numrin e telefonit tim dhe janë të njoftuar me gjendjen time shëndetësore. Nëse duan të komunikojnë me mua mund të vijnë në Ljublanë, përndryshe unë nuk mund të lëviz”.

“Më 15 tetor kam sërish kontrollë te kirurgu që më ka operuar i cili edhe do ta caktojë datën e operimit të dytë”.

Të ngjashme