“Marakli t’kerreve” i shkruajnë letër Guvernatorit të BQK-së për shtrenjtimin e sigurimeve

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës i nervozoi goxha shumë qytetarët.

Kjo, pasi me vendimin e ri, ata do të paguajnë sigurimin e automjeteve të tyre më shtrejtë se sa deri tash, shkruan gazeta inFokus.

Në fakt, për këtë gjë edhe u organizuan protesta para BQK-së.

Por, veç protestës, grupi mijëra anëtarësh, “Marakli t’kerreve”, tani i kanë dërguar edhe një letër Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmetit.

“Në emër të komunitetit “Marakli t’kerreve”, një grup ky me mijëra anëtarë në rrjetin social Facebook, dhe më shumë se 100 mijë qytetarëve që ne pretendojmë se i përfaqësojmë, po ua dërgojmë të protokolluara kërkesat tona, për të cilat u dakorduam në takimin që patëm më 22 nëntor 2019”, thuhet në letrën e dërguar.

“Atë ditë, ju na thatë se do të na i ktheni përgjigjet tuaja, në kërkesat tona brenda 3 dite, ndërsa që ne jemi pajtuar që ky afat të shtyhet edhe për dy ditë, deri të premten e 29 nëntorit 2019”, vazhdon tutje.

Ndërsa, në letër janë të përmendura edhe 6 kërkesat në drejtim të BQK-së, shkruan gazeta inFokus.

“1. Pezullimi i menjëhershëm, ose i përkohshëm i vendimit për rritje prej 26.6 përqind”

“2. Shqyrtimi i vendimit të ri së bashku me ne, si përfaqësues të qytetarëve, por edhe me pjesëmarrjen e akterëve tjerë të përfshirë në këtë çështje”

“3. Zhvillimi i një ankete/hulumtimi me qytetarë në lidhje me çmimin e sigurimeve (anketa/hulumtimi të bëhet bashkë me ne, pra, grupi ynë “Marakli t’kerreve” të jetë i përfshirë në këtë projekt”

“4. Grupi ynë të jetë i pranishëm në diskutimet mes BQK-së dhe Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës”

“5. Marrëveshja e re të bëhet duke pas në plan të parë interesin e qytetarëve e jo të kompanive të sigurimit” dhe

“6. Vendimi i ri të merret në mënyrë transparente, duke informuar paraprakisht qytetarët, mediet dhe neve si grup organizator të protestës”, thuhet në letrën e dërguar Guvernatorit të BQK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme