Marali e Malishevës: Shkolla duke u renovuar, nxënësit në mësim

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 21:06 | Nga Ekonomia Online

Në shkollën “Ruzhdi Xhyliqi” në Marali të Malishevës, nxënësit kanë nisur mësimin në objektin ku në katin e dytë është duke u punuar për zgjerimin e hapësirave.

Si shkak i punës që nisi javë më parë, as nxënësit e ciklit të ulët nuk vijuan mësimet në shkollë javën e fundit, megjithatë u angazhuan me detyra virtualisht.

Këshilli i prindërve të fshatit thonë se ishte vendim i tyre që fëmijët të kthehen në klasa, ngase vitin e fundit kanë humbur shumë si shkak i pandemisë, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë, në Drejtorinë e Arsimit në Malishevë, deklarojnë se plani ishte që punimet e vrazhda të përfundojnë në kohën e pushimit pranveror, mirëpo kushtet atmosferike bënë që ato të zgjasin, andaj nxënësit u kthyen në shkollë për të mësuar me tri ndërrime.

Në rast se punët do të zgjasin edhe më shumë, në drejtorinë komunale të arsimit kanë planifikuar që të sigurohet transporti për tek një shkollë tjetër e afërt ku mësimi zhvillohet me një ndërrim.

Të ngjashme