Matoshi: Cilësia e ajrit më mirë se vitet e kaluara, thëngjilli të largohet tërësisht nga tregu

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 10:26 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Cilësia e ajrit në Kosovë po del të jetë më mirë se vitet e kaluara, teksa apelohet edhe më tej që përdorimi i thëngjillit të largohet tërësisht nga tregu.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, për Ekonomia Online, ka thënë se vetëdijesimi i qytetarëve është rritur, ku ka bërë që cilësia e ajrit të jetë me pak i ndotur.

“Nëse vëreni statistikat edhe nëse i shihni statistikat që janë publike është lehtë e vërejtshme që dimri 2019-2020 ose kjo periudhë kohore është dukshëm më e mire sesa periudhat e dy tre vjetëve paraprake. Unë besoj që një rol të jashtëzakonshëm në këtë e ka luajtur edhe vetëdijesimi i qytetarëve edhe ngritja e kësaj teme në nivel më të lartë diskutimi që e kemi bërë gjithmonë si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

“Nuk është asnjëherë se i kemi ikur si temë, nuk është se e kemi  fshehur para qytetarëve tanë gjendjen  e rënduar që e kemi për cilësinë e ajrit në vend, mandej vijnë edhe veprimet konkrete të cilat i kemi ndërmarrë e që është ndalimi i përdorimit të thëngjillit në të gjitha institucionet publike”, ka thënë Matoshi.

Praktika e viteve më parë, që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i ka shpërblyer punëtoret me thëngjill falas, Matoshi ka thënë se këtë praktikë kanë arritur ta ndërpresin.

“Një praktikë që ka qenë për me i shpërblyer punëtorët e KEK-ut që janë mbi 3 mijë punëtorë në fundvit me 8 deri 10 ton thëngjill falas e kemi ndërpre edhe atë poashtu. Gjithë ai thëngjill ka përfunduar në treg dhe unë nuk them që kemi mbërri me ndalu plotësisht shitjen ilegale të thëngjillit , duke ndërmarrë këtë veprim ne e kemi pamundësuar daljen e një sasie tepër të madhe të thëngjillit nëpër rrugë për tu shitur e stërshitur”.

“Kam kërkuar në vazhdimësi dhe po besoj që duhet me i ardhur rendi që Ministria e Infrastrukturës më i zbatuar udhëzimin administrativ që ka të bëjë me lirimin e emetimit të gazrave në ajër, nga automjetet që janë në qarkullim e që poashtu mundet me pas një efekt shumë pozitiv”, ka thënë ai për EO.

Një projekt tjetër i rëndësishëm që ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit është edhe projekti për ndërrimin e filtrave të “Kosovës B”, ku fondet janë të miratuara nga Kuvendi në legjislaturën e kaluar. Thotë se ky projekt ka kushtuar 78 milionë euro.

“Për me shku ngadalë deri te projekti i madh që është ndërrimi i filtrave të Kosovës B që tashmë fondet janë të aprovuara e të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, janë në kuadër të IPA dhe janë 78 milionë që investohen në përmirësim të cilësisë së ajrit duke intervenuar direkt në termocentralet tona, në këtë rast në termocentralin Kosova B”.

“Kjo është në procedurë të implementimit të projektit, të gjitha procedurat për sa i përket dokumentacionit, aprovimeve sigurimit të fondeve, aprovimeve nga qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kanë përfunduar dhe tash zyra e BE-së sigurisht që do të merret edhe me shpalljen e tenderit për sa i përket ndërrimit të filtrave te Kosovës B dhe ngadalë të shkojmë edhe te një projekt shumë inovativ  i Komunës së Prishtinës që ka të bëjë me ngrohjen solare për një plantacion solar që do të përdoret për ngrohje edhe tek zgjerimi i rrjetit të kogjenerimit në qytetin e Prishtinës”, ka thënë ai.

Një projekt tjetër sipas Matoshit është edhe shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore në shumë lagje të Prishtinës në mënyrë që të bëhet i panevojshëm përdorimin e thëngjillit edhe lëndëve tjera djegëse.

Të ngjashme