Matoshi vlerëson përkrahjen e Gjermanisë në fuqizimin e inspektoratit

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman, Anja Becky dhe shefin e  Projektit për Reformë Ligjore dhe Administrative të GIZ-it, Karl Weber, me të cilët ka diskutuar mbi bashkëpunimin në fuqizimin e inspektoratit të MMPH-së për zbatimin e legjislacionit mjedisor.

Gjatë këtij takimi Ministri Matoshi ka theksuar nder të tjerash nevojën e rritjes së nivelit të zbatimit të legjislacionit mjedisor pasi që sipas tij Kosova ka një legjislacion në përputhje me direktivat e BE-së, por që ende kemi shumë punë në zbatimin efikas të tyre.

Në këtë linjë Ministri Matoshi ka theksuar që ka kërkuar nga Komunat që të rrisin numrin e inspektorëve mjedisor në mënyrë që krahas vetëdijesimit të qytetarëve të praktikohen dhe gjobat për të gjithë ndotësit.

“Si Ministri e shohim të domosdoshme fuqizimin e inspektoratit tonë qendror përmes  ngritjes kapaciteteve  të tyre për të vepruar ne harmoni me ligjet  dhe udhëzimet administrative ne fuqi, dhe për këtë dua të falënderoj GIZ-in gjerman për përkrahjen që po jep në këtë drejtim”, deklaroi Ministri Matoshi.

Nga ana tjetër zyrtarët gjerman kanë paraqitur projektin e tyre që synon të rrisë kapacitetet e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të shqiptuar gjoba në përputhje me ligjin dhe për të siguruar zbatimin e tyre.

Përveç kësaj, sipas tyre projekti ka për qëllim ngritjen e një procedure efikase të ankesave dhe sigurimin e një koordinimi më të mirë midis institucioneve të ndryshme të përfshira, veçanërisht Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Divizionit të Kundërvajtjes të Gjykatave Themelore, Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Përmbaruesve Privat.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme