Mazreku arsyeton shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve, viteve të fundit kemi rritje të kostos së dëmeve

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 20:37 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, tha se çmimet e sigurimeve në Kosovë nuk janë ndryshuar nga viti 2001 dhe janë shumë faktorë që është dashur të ketë ndryshim të çmimeve në këtë sektor.

Ai bëri me dije se në bazë të statistikave nga Shoqata, nga viti 2002 deri në vitin 2018, janë lënduar 126 mijë e 210 persona. Sipas tij ka shumë faktorë që çmimet është dashur të ndryshohen. “Primi i sigurimit që ka qenë deri me tani nuk ka qenë i mjaftueshëm për të siguruar pagesën adekuate të dëmeve. Pamjaftueshmëria e këtij primi ka ardhur nga dy drejtime: Zvogëlimi i primit, Rritja e kostos së pagesës së dëmeve dhe Zvogëlimi i primit”, tha ai sot në IMAZH në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij premia e deritashme bazë e sigurimit është vendosur në vitit 2001. “Përveç zhvlerësimit me kohë nga efekti i inflacionit, është sistemi Bonus Malus ai që për çdo vit e ka zvogëluar primin e sigurimit për qytetarë. Rregullorja e BQK-së për sistemin Bonus Malus për qytetarët që nuk shkaktojnë aksidente, iu mundëson zbritje nga primi bazë deri në 50%. Si pasojë e kësaj, efektivisht primi i përgjithshëm i grumbulluar nga Kompania e Sigurimit është zvogëluar (për momentin në vitin 2019 zbritja në nivel të përgjithshëm është 20%). Pra nga çmimi bazë i publikuar, aplikohet zbritje prej 20% (me potencial deri ne 50%), dhe efektivisht siguruesit inkasojnë vetëm 80% të këtij çmimi të publikuar”, tha ai.

Mazreku tha se shpenzimi apo kostoja kryesore që Kompanitë e Sigurimit kanë është pagesa e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet. “Viteve të fundit kemi rritje të kostos së dëmeve që është ndikuar nga dy aspekte. Rritja e numrit të përgjithshëm te aksidenteve. Posaçërisht rritja e atyre me lëndime dhe me fatalitet ku kostoja e tyre është shumë e lartë. Rritja e kostos së një dëmi. Ndër arsyet që duhet përmendur në rritjen e kostos së një dëmi janë. Në përgjithësi veturat në qarkullim janë më të reja (rrjedhimisht më të shtrenjta) në krahasim me vitet e kaluara dhe rrjedhimisht kostoja e riparimit të tyre është më e lartë. Kemi rritje të pagesës së dëmeve tek aksidentet me të lënduar dhe të vdekur. Vendimet e gjykatave lidhur me lartësinë e vlerës së kompensimit për dëmet jomateriale janë gjithnjë e në rritje”, tha ai sot në IMAZH në RTK.

Mazreku: Në Kosovë pronësinë e ndërrojnë rreth 95 mijë vetura

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku bëri me dije se edhe kanë kërkuar që të hiqet kushtëzimi për regjistrim të veturave. “Ne kemi kërkuar të hiqet taksa komunale, të hiqet edhe kushtëzimi për regjistrim të veturave, kushtëzimet janë kundër kushtetuese, po ashtu kemi kërkuar të hiqet kushtëzimi për ndërrim të pronësisë”, tha ai. Sipas tij në Kosovë pronësinë e ndërrojnë rreth 95 mijë vetura. Sipas tij edhe FMN-ja, i ka dhënë përkrahje vendimeve të BQK-së. Mazreku vlerësoi se vendimet e fundit të BQK-së, janë vendime që do të bëj të ketë ndryshim pozitiv.

Sipas tij 50 % të kapitalit të sigurimeve janë të huaja. “Kemi pasur dy kompani të huaja që janë larguar, si GRAVE Austria dhe Croatia Sigurimi”, tha ai.

Ndryshe në rast te invaliditeti apo të vdekjes nga aksidentet e komunikacionit, siguruesit duhet të bëjnë kompensimin e të gjitha të ardhurave deri në moshën 65 vjeçare të personit të aksidentuar. Paga mesatare në Kosovë sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës, është rritur për 30% nga vitit 2012 deri me 2018 (2012: EUR384; 2018: EUR 498). Rrjedhimisht për shembull për një rast ku kemi një 35 vjeçar të aksidentuar me invaliditet, kostoja e kompensimit të të ardhurave për 30 vite është (në vitin 2012: 3012384 = EUR 138,240.00 kurse në 2018: 3012498 = EUR 179.280.00 EUR)

Pra ndikimi i përbashkët i këtyre dy faktorëve, në njërën anë zvogëlimi i primit (të hyrave) si pasojë e sistemit Bonus Malus, dhe në anën tjetër rritja e kostos së dëmeve si pasojë e shkaktarëve të shpjeguar më lartë, e ka bërë të paqëndrueshme situatën aktuale, dhe se rritja e primit është e domosdoshme për të siguruar pagesën e dëmeve ndaj të aksidentuarve.

Në kuptimin e përgjithshëm, vlen të theksohet se nga kostoja e sigurimit që qytetari paguan, 20% janë taksa (18% TVSH dhe 1.5% taksë ndaj BQK), pra vetëm 80.5% është prim i kompanisë së sigurimit. Gjithashtu, kostoja e primit të sigurimit mund të zvogëlohet shumë për qytetarët që nuk shkaktojnë aksidente. Shembull për një qytetarë që nuk shkakton aksident dhe posedon veturë mesatare prej 1500 kubik, kostoja e sigurimit mund të zbret në më pak se 5 EUR në muaj, që nuk paraqet kosto të lartë kur merret parasysh se Kompania e Sigurimit i ekspozohet një rreziku prej 1.2 Milion EUR për një prim të tillë prej 5 EUR në muaj.

Të ngjashme