Mbahet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”, temë diskutimi kritika letrare

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 15:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”, ku temë diskutimi ishte kritika letrare, raporton Ekonomia Online.

Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, me një fjalë rasti ka përshëndetur dhe ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje.

“’Drini Poetik’ edhe këtë herë do të përmbajë linjat kryesore të projektit, duke përjashtuar mundësinë e aktiviteteve në Prizren dhe në Kukës. Pra, pas pak do të fillojmë me sesionin letrar, kritika letrare dhe botimet aktuale, pastaj me letrën e hapur, përurohen disa botime të krijuesve tanë dhe do të paraqiten disa anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe mysafirë që na kanë nderuar me praninë e tyre në këtë manifestim”.

Galica, në vazhdim ka folur për kritikën letrare, e cila sikur theksoi si vjen pas veprës së botuar për të cilën ka nevojë autori, por nëpërmes saj ndihmohet dhe lexuesi.

“Tani siç dihet objekti i kritikës letrare në një vepër të botuar është kritika e stilistikës e lidhur ngushtë me stilin dhe stilistikën. Kritika stilistike mbështetet në elemente stilistike të veprës letrare, ndërsa kritika estetike veprën letrare e studion vetëm në aspektin estetik. Kritika letrare vjen pas veprës së botuar për të cilën ka nevojë autori, por ndihmohet dhe lexuesi. Jo një mësues letërsie, por as poeti, prozatori apo dramaturgu sado të përgatitur profesionalisht qofshin nuk janë në nivelin e kërkuar që të merren me zhvillimin e kritikës letrare”.

Ai ka konsideruar se kritikës letrare i duhet specialisti i ashtuquajtur kritik letërsie, raporton EO.

“Them kështu sepse kritika letrare zhvillohet në bazat e përshtypjeve individuale të veprës së lexuar dhe mbresave të cilat i transmeton vepra letrare. Si degë e veçantë e shkencës së letërsisë ajo ka për detyrë të vlerësojë mënyrën e veprës letrare dhe të tregoj se ç’rëndësi ka vepra në çastin kur ajo botohet e publikohet. Tashmë pasuria jonë letrare është letërsia shqipe që botohet në Republikën e Kosovës, Shqipërisë. Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, letërsia e Arbëreshe por edhe ajo e diasporës”.

Kurse Naxhije Kastrati, kritike letrare, tha se kjo degë letrare ka për detyrë të të shpjegoj atë që është më e fshehtë dhe e ndërlikuar në veprën letrare, raporton EO.

“Kritika letrare është degë e shkencës së letërsisë e cila merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare midis veprës letrare dhe lexuesit. Kritika letrare si degë e veçantë e shkencës së letërsisë ka për detyrë të vlerësoj veprën letrare dhe të reagojë se ç’rëndësi ka në çastin kur ajo botohet. Detyra e kritikës letrare është të shpjegoj atë që është më e fshehtë dhe e ndërlikuar në veprën letrare. Kritika duhet të tregoj se ç’risi parqet publikimi i një vepre në kohën kur është shfaqur e ç’ndikim ka pasur ajo në zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë”, ka thënë ajo.

Të ngjashme