Mbahet takimi i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së

Prishtinë | 12 Qer 2021 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur sot në Prishtinë takimi i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me temën “Sfidat nga pandemia COVID -19 në sektorin e arsimit në vendet e rajonit dhe përgatitjet për periudhën pas-covid“.

Takimi u mbajt në platformën virtuale (online) dhe u drejtua nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, njëherësh anëtar dhe Kryesues i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë të AP të SEECP-së.

Në hapje të takimit, kryetari Quni shprehu besimin se punimet e këtij takimi do të kontribuojnë në kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve të mira fqinjësore e të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, në fushat me interes të përbashkët.

Duke i bërë një elaborim situatës pandemike në vendet e rajonit dhe pasojave që virusi Covid-19 ka shkaktuar në shumë segmente të jetës, kryetari Quni u fokusua te efektet e shkaktuara në fushën e arsimit.

Ai tha se tashmë janë të njohura për të gjithë vështirësitë me të cilat është përballur sistemi arsimor, në mënyrë që arsimi të ruajë ecurinë por në të njëjtën kohë të sigurohet mbrojtje e shëndetit dhe e jetës së stafit, nxënësve, familjeve dhe të gjithë popullsisë.

Në vazhdim, kryetari Quni bëri një përmbledhje të raportit Sfidat e Covid-19 në sektorin e arsimit dhe rruga përpara për arsimin pas Covid-19 në Evropën Jug-Lindore, i hartuar si një studim sekondar dhe një sondazh i shkurtër i kryer me mbështetjen e rrjetit të OJQ-ve aktive në sektorin e arsimit në rajonin e Evropës Juglindore.

Ai shtoi se pandemia Covid-19 dhe mbyllja e shkollave gjatë fazës fillestare, në fillim të vitit 2020, sollën kuptime të reja të mjedisit të mësimdhënies dhe të të nxënit dhe role të reja për akteret kryesorë të arsimit.

Në seksionin e tij të fundit, z. Quni shtoi se raporti shqyrton drejtimet e mundshme në rrugën përpara përtej pandemisë. Ai tha se në kuadër të dimensionit krejtësisht arsimor që ndikon në ‘normalen e re’ në të ardhmen, autoritetet arsimore duhet të përqendrohen në përfundimin e suksesshëm të vitit aktual shkollor (2020-2021), zbatimin e testimit të standardizuar, organizimin e mësimeve shtesë të personalizuara dhe të bazuara në nevoja për të kompensuar mësimet e humbura, përgatitjen për vitin e ri shkollor (2021-2022), dhe krijimin e strategjive për digjitalizimin e arsimit në vendet pjesëmarrëse.

Z. Quni, me tej hapi diskutimin për temën e takimit.

Takimi vazhdoi punimet me prezentimet e përfaqësueseve të disa nga vendet pjesëmarrëse të cilat paraqitën sfidat me të cilat qeveritë e tyre janë përballur në fushën e arsimit gjatë kësaj faze dhe hapat që ato kanë ndërmarrë për të organizuar procesin arsimor në rrethana të reja.

Përveç Kosovës, në këtë takim morën pjesë edhe delagacionet nga: Turqia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.

Në takim ishin të ftuar edhe zv/ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Dukagjin Pupovci i cili iu drejtua pjesëmarrësve, si dhe z. Umut Ergezer, Koordinator i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Në fjalën e tij z. Pupovci prezentoi situatën aktuale në fushën e arsimit, teknologjisë dhe shkencës, me theks të veçantë situatës dhe organizimit të arsimit në kushtet dhe rrethanat e pandemisë në Kosovë.

Nga ana tjetër, z. Ergezer, prezentoi Strategjinë 2030 për Evropën Juglindore: “Drejt arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe zhvillimit shoqëror në Evropën Juglindore dhe rolin e parlamenteve në kontekstin e strategjisë SEE 2030”.

Gjatë këtij takimi nuk u arrit të miratohen dokumentet e punës.

Draft raporti dhe draft rezoluta u mirëpritën nga delegacionet pjesëmarrëse, por, në mungesë të kuorumit, nuk u arrit të miratohen.

Të njëjtat do të procedohen në takimet tjera të Asamblesë, në kuadër të Sesionit Plenar, që do të mbahet nga 21-23 qershor në Antalia, Turqi.​

Të ngjashme