Mbahet takimi rajonal për çështjen e personave të zhdukur

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Prenkë Gjetaj, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, dhe Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit dhe Sekretariatit të Delegacionit të Kosovës, për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, është duke qëndruar në Mal të Zi, me qëllim të pjesëmarrjes në takimin rajonal për çështjen e personave të zhdukur, të organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në zbatim të ‘Planit Kornizë Rajonal në adresim të çështjes së personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë’.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është miratuar Rregullorja e Punës së Grupit për Persona të Zhdukur, si dhe Plani i Punës, gjegjësisht Plani i aktiviteteve që do të realizohen me qëllim të zbatimit të ‘Planit Kornizë Rajonal’ të nënshkruar më 6 nëntor 2018, në Hagë.

“Po ashtu, në respektim të ‘Planit Kornizë Rajonal’ dhe në përmbushje të prioriteteve të planifikuar, gjatë takimit janë themeluar edhe dy grupe punuese, që do të funksionojnë në kuadër të Grupit për Persona të Zhdukur, përkatësisht Grupi Punues Operativ për ‘Bazën e të Dhënave Rajonale të Personave të Zhdukur’ dhe Grupi Punues për zhvillimin e ‘Pilot Projekteve në adresim të rasteve NN (të paidentifikuara) të mbetjeve mortore’”, thuhet në njoftim.

Njoftimi thotë, se këshilltari i Kryeministrit i angazhuar në çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushje të Planit Kornizë Rajonal dhe në respektim të Deklaratës së Përbashkët të Kryeministrave të nënshkruar gjatë muajit korrik në Samitin e Londrës. Në të njëjtën kohë, sipas Llukës, duhet një bashkëpunim dhe angazhim më i madh i institucioneve të shteteve tjera të rajonit, në veçanti Serbisë, me qëllim që familjet e personave të zhdukur të dijnë sa më parë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur gjatë luftërave.

“Në këtë takim rajonal, pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësuesit e institucioneve kompetente të shteteve tjera të rajonit, si Drejtoratit për të Burgosurit dhe Zhdukurit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Veteranëve të Republikës së Kroacisë, Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, Komisionit Qeveritar të Malit të Zi për Persona të Zhdukur dhe, Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur”, përfundon njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme