Mbi 1000 të arrestuar pse shkelën masat në pandemi, po cenohen të drejtat e njeriut

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 20:37 | Nga Ekonomia Online

64 persona janë arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për shkak të moszbatimit të masave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

E që nga koha kur filloi zbatimi i vendimeve të Qeverisë në detyrë, për mbrojtje nga koronavirusi janë arrestuar mbi një mijë qytetarë.

Mirëpo, këto arrestime sipas Panelit Këshillues të Ekspertëve Ligjorë të Kosovës cenojnë të drejtat e njeriut, raporton KOHA.

Kujtim Kërveshi nga Paneli Këshillues i Ekspertëve Ligjorë kërkon nga Policia e Kosovës që t’i ndalë këto arrestime, pasi sipas tij, vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë është administrativ.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pranuar të përgjigjet lidhur me këtë çështje, duke thënë se ende nuk është e sqaruar çështja.

E sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, një numër i madh i qytetarëve lirohen në procedurë të rregullt e pastaj hapet rasti në Gjykatë.

Qeveria në detyrë më 13 mars kishte kufizuar lëvizjen e qytetarëve, vendim ky që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, për t’u vazhduar pastaj me masat e reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat.

Ky vendim, gjithashtu, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim nga Partia Demokratike e Kosovës.

Të ngjashme