Mbi 150 persona të pasionuar pas kuzhinës, trajnohen në Qendrën Inovative “Korabi”

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 08:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Inovative “Korabi'”, pjesë e “Korabi Corporation”, një koncept i ri në tregun kosovar, do të ofrojë mësime bazike dhe të avancuara për të gjithë të pasionuarit pas kuzhinës, por edhe për profesionistë që duan të avancojnë dijet e tyre në botën e ëmbëlsirave dhe produkteve të furrës.

Që nga 17 shkurti në këtë qendër janë trajnuar mbi 150 persona.  Korab Zeka, menaxher i përgjithshëm në “Korabi Corporation”, thotë se qendra trajnuese, përveç trajnimeve profesionale, është edhe një mundësi e mirë për punësim.

“Kemi bërë edhe qendrën trajnuese e cila i ndihmon edhe njerëzve të papunë po i ndihmon gjithashtu edhe industrisë tonë për me gjet punëtorë. Qendra trajnuese ofron trajnime profesionale për furra të bukës dhe pastiçeri, por ofron edhe një mundësi shumë të mirë, njerëzve të papunë të cilët janë në kërkim të punës, gjithashtu i ndihmon bizneset dhe industrinë tonë për me gjet punëtorë të kualifikuar por edhe gjithashtu njerëzit të fushës i ndihmon për të rritur dhe përmirësuar aftësitë e tyre profesionale”.

Sipas Zekës, interesimi i njerëzve për të marrë mësime për produkte të furrës e ëmbëlsirave, është shumë i madh.

“Interesimi është mjaft i madh, është interesimi më i madh se që e kemi prit në fillim, kur kemi hy në këtë investim. Deri tani janë trajnuar mbi 150 persona kurse tash kemi bërë edhe shpallje publike për pranimin e njerëzve të cilët nuk kanë aftësi ose kanë aftësi minimale në këtë fushë. Për shkak të kërkesës shumë të madhe, fillojmë prej javës së ardhshme me trajnimet e para”, theksoi Zeka.

Ai tregoi se tashmë kanë bërë edhe një shpallje publike ku 10 personat më të dalluar do të punësohen menjëherë pas trajnimit, raporton EO.

“Tregu ka nevojë shumë për punëtorë. Personat që vijnë këtu kanë mundësi punësimi vetëm në modulin e parë kemi bërë një shpallje publike që deri në 10 persona më të dalluar do të punësohen menjëherë pas trajnimit. Por, kërkesa për punëtorë dhe kërkesa për me punësuar është shumë më e madhe se këta 10 persona që i kemi bë publike në fillim”, tregoi Zeka.

Menaxheri Zeka, tha se pagesa për mësimet në Qendrën Trajnuese për modulin e parë që është bazik, pagesa është 250 euro për 40 orë.

“Kanë me qenë tri module , që është moduli bazik, është moduli i mesëm dhe moduli advans. D.m.th moduli bazik është për njerëzit të cilët nuk kanë njohuri fare ose njohuri minimale në fushën e pastiçerisë ose furrave të bukës, moduli i mesëm është për njerëzit që kanë disa njohuri por duan ti përmirësojnë njohuritë e tyre dhe aftësitë e tyre në këtë fushë, kurse moduli i fundit dhe advans është për super profesionistët të cilët veç duan me kaluar në një nivel tjetër”.

“Pagesa ka me u var prej modulit, me modulin  e parë po startojmë me 250 euro e cila është për 40 orë trajnim dhe pagesat tjera varen prej modulit, prej njerëzve dhe mjeshtërve që do të na vizitojnë”, tregoi ai.

Në qendrën e parë arsimore në fushën e kulinarisë në Kosovë, do të ketë trajner vendorë e të huaj. Zeka thotë se deri më tani njerëzit nga Kosova kanë shpenzuar shumë për të marrë pjesë në trajnime të tilla jashtë vendit.

“Çka ja vlen me u përmend që për të njëjtat trajnime deri tash njerëzit prej Kosovës kanë shkuar nëpër vendet në rajon për me kryer trajnimin dhe trajnimet po foli të nivelit të njëjtë dhe kategorisë së njëjtë në Greqi është minimumi 1000 euro për 40 orë”.

“Mos të flasim për çmimet e akomodimit, udhëtimit dhe gjithçka tjetër që janë shpenzime marramendëse, kurse tash kanë me u kryer trajnimet e njëjta në nivelin e njëjtë për një çmim që është shumë simbolik duke krahasuar që ka me qenë në Kosovë, nuk ka shpenzime shtesë edhe trajnerët për momentin i kemi dy trajnerë të cilët janë super profesionalë vendor, por edhe non-stop kemi me pas trajnerë prej bendeve të njohura botërore të cilat kanë me qenë non-stop në vizitë te na”, tha ai.

“Korabi NTP”, është kompani që merret me shitjen e lëndës së parë për prodhimet e furrave të bukës dhe pastiçerive, me një traditë pune afro tri dekada.

Të ngjashme