Mbi 16 mijë kosovarë heqin dorë nga nënshtetësia

Prishtinë | 27 Nën 2017 | 12:13 | Nga

Vlefshmëria e pasaportës gjermane e ka shtyrë Albion Krasniqin, që të marrë pasaportën e këtij shteti 80 milionë banorësh dhe të heq dorë nga shtetësia kosovare.

Pasaporta kosovare sot njihet nga më shumë 100 shtete, por Krasniqin kjo nuk e ka bindur që të ta mbajë pasaportën kosovare, ndonëse ai ka shumë vite që jeton në Gjermani.

Ai tha për RTKlive se ka disa arsye që ka tërhequr shtetësinë e Kosovës dhe ka marrë të Gjermanisë.

“E para ka të bëjë që Gjermania e ka kushtëzuar që të zgjedhim njërën shtetësi dhe tjera mundësia për të udhëtuar më lehtë në vendet e tjera pa vizë”, tha ai.

Njëjtë sikur Albioni janë edhe mbi 16 mijë kosovarë që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka bërë me dije se deri më sot për tri vite kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare 16410 qytetarë të Kosovës.

“Për vitin 2015, kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare 5540 persona, në vitin 2016 5871, kurse në vitin 2017 (janar-tetor) 4999 persona”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, për RTKlive.

Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), janë tri shtete që kosovarët po marrin shtetësi të tyre, ku prinë Gjermania me 14110 qytetarë të Kosovës që janë pajisur më shtetësi gjermane, Austria me 1469 persona, Norvegjia me 260 persona.

Ndërkaq, nënshtetësi të shteteve të tjera kanë marrë 571 qytetarë të Kosovës.

Ndryshe, sot pasaporta e Kosovës është në mesin e më të dobëtave sa i përket mundësisë që të udhëtohet me të.

Për fuqinë që ka pasaporta e Kosovës, faqja www.passportindex.org e ka ranguar në vendin e 83.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme