Mbi 1,600 ankesa e dhjetëra policë të suspenduar gjatë pandemisë në Kosovë

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 20:12 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vitit 2020, janë arrestuar 32 punonjës policorë të dyshuar për vepra penale, ndërkaq janë suspenduar 83 të tjerë, thonë zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

Në bazë të statistikave të Inspektoratit Policor të Kosovës, po ashtu gjatë vitit 2020, është shënuar një rritje e numrit të ankesave të qytetarëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, me pretendimet se ata kanë bërë shkelje disiplinore ose janë përfshirë në vepra penale.

Nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vlerësojnë se ankesat e shtuara nga ana e qytetarëve të Kosovës ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia e koronavirusit.

Beka: Janë arrestuar 32 zyrtarëve policorë, të dyshuar për vepra penale

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, thotë se gjatë vitit 2020, ky Inspektorat ka pranuar dhe administruar gjithsej 1,658 ankesa, prej të cilave 17 informata, që nënkupton se numri i ankesave ka qenë 15 për qind më shumë sesa në vitin paraprak.

Sipas Bekës, 1,071 ankesa apo 64.60 për qind e numrit të përgjithshëm të ankesave të pranuara në këtë Inspektorat, janë kualifikuar se përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në shkelje disiplinore. Të njëjtat, siç thotë Beka, janë proceduar në Divizionin e hetimeve të brendshme dhe verifikimin e të kaluarës në kuadër të Policisë së Kosovës. Pjesa tjetër, 574 ankesa, janë kualifikuar si ankesa që përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në vepra penale. Këto ankesa, siç bën të ditur ai, janë proceduar në Departamentin e hetimeve të IPK-së për trajtim e hetim të mëtejmë.

“Inspektorati Policor i Kosovës, vitin e kaluar ka proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit gjithsej 82 raste. Përveç kësaj, në kuadër realizimit të objektivave ligjore, gjatë vitit 2020, janë realizuar gjithsej 32 arrestime të punonjësve policorë të dyshuar për vepra penale, si dhe të gjashtë qytetarëve të dyshuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në veprimtari penale në rastet ku janë hetuar edhe punonjësit e policisë. Përveç tyre janë rekomanduar edhe 83 suspendime, si dhe një transferim i një zyrtari policor”, theksoi Beka.

Ai shtoi se në kuadër të numrit të kallëzimeve penale ndaj zyrtarëve policorë janë të përfshira edhe rastet që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me ankesat e qytetarëve gjatë periudhës së pandemisë.

Vrajolli: Ka pasur raste me përdorim të tejkaluar të forcës

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se numri i shtuar i ankesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë, është rezultat i rregullave shtesë dhe kufizimeve të caktuara që janë vënë në kuadër të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës, për të menaxhuar pandeminë e koronavirusit.

Sipas tij, në mjaft raste janë qytetarët që kanë shkelur këto masa, për shkak se nuk kanë qenë mirë të definuara fillimisht, e të cilat kanë hasur në reagimin e policisë.

“Kemi edhe raste ku duket qartë se ka pasur tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e policisë. Në fakt, Policia e Kosovës, sa i përket garantimit të sigurisë publike, ka një notë pozitive. Nuk mund të përgjithësohet ky numër i rasteve me punën e mirë që ka kryer policia në terren. Domosdo që kultura e përgjithshme shoqërore reflektohet edhe në polici dhe jo domosdo që të gjithë policët janë pjesë e shoqërisë, të cilët janë në gjendje të kuptojnë mënyrën se si një polici moderne mund të veprojë. E mira është që institucionet tashmë kanë ngritur rastet kundër këtyre policëve”, theksoi Vrajolli.

Keqpërdorimi i autoritetet luhat besimin e qytetarëve

Disa qytetarë në Prishtinë, vlerësojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës, gjatë vitit të kaluar, sidomos prej kur janë shpallur masat qeveritare për luftë ndaj pandemisë së koronavirusit, në përgjithësi ka pasur sjellje korrekte. Por, megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me rastet ku, siç thonë ata, policia dhe qytetarët kanë pasur “fërkime”.

Vlera Haxhibeqiri, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Policia e Kosovës, si institucion, duhet të ketë kujdes që ta ruajë imazhin e saj pozitiv dhe të merituar, përballë qytetarëve të vendit.

“Deri më tash, kam qenë deri diku e kënaqur dhe e mburrur me Policinë e Kosovës, derisa i kam parë disa raste të pakëndshme, të cilat më kanë bërë që të paragjykoj ose gjykoj më ndryshe këtë polici. Është gabim që të përdoret autoriteti për të keq. Policia e ka për detyrë që të mbrojë dhe të kujdeset për qytetarin. Kjo është detyra e saj. Pra, të shkruaj dënimin dhe jo të sillet keq ose të rrahë dikë sepse është keqpërdorim i detyrës”, tha Haxhibeqiri.

Bleon Uka, student i Infermierisë, thotë që në të shumtën e rasteve sjellja e zyrtarëve policorë ka qenë e mirë dhe korrekte me qytetarët. Por, sipas tij, përgjatë periudhës së pandemisë, janë shënuar edhe disa raste, të cilat janë publikuar përmes mediave, ku policia nuk ka qenë në nivelin e detyrës.

“Nuk duhet të përfshihet e gjithë Policia e Kosovës, por ka vetëm raste të policëve. Nuk është e drejtë të përdoret dhunë ndaj qytetarit. Ka pasur shumë raste të tilla, për shkak të (mosvendosjes) maskës. Është dënimi i caktuar dhe të përdoret masa e dënimit dhe jo të ketë sjellje arrogante prej policisë ndaj qytetarit”, theksoi Uka.

Por, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, thotë se përveç tjerash, ankesat e parashtruara nga qytetarët për shkak të gjobave të shqiptuara nga ana e Policisë së Kosovë, duke shprehur mospajtime dhe ankesa të ndryshme për veprimet e policisë, duhet parë edhe si shenjë pozitive.

“Kjo i referohet edhe ngritjes së besueshmërisë së qytetarëve tek Inspektorati Policor i Kosovës”, theksoi Beka.

Ditë më parë, Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, i cili dyshohet se në vitin 2018, kishte keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe brenda hapësirave të një stacioni policor në Prishtinë. Arrestimi i zyrtarit policor pasoi pas publikimit në media të një videoje, në bazë të së cilës dyshohet që zyrtari policor ka keqtrajtuar fizikisht të riun. Lidhur me rastin, janë suspenduar edhe dy zyrtarë tjerë policorë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe kryeshefin ekzekutiv të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, më 1 shkurt, ka kërkuar që “të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo zyrtari policor, i cili keqpërdorë detyrën”.

Hoti ka kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës që “të trajtojë me shumë përkushtim të gjitha ankesat e qytetarëve që vijnë në adresë të policisë, të jenë këmbëngulës dhe të pakompromis në respektimin e etikës dhe sjelljes profesionale të policisë”.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga futja në fuqi të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, më 26 gusht të vitit 2020 e deri më 28 janar të vitit 2021, “janë shqiptuar 125.420 fletë-paraqitje ndaj personave pa dallime, për moszbatim të masave ndaj pandemisë COVID-19”. /rel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme