Mbrojtësja e viktimave dëshiron ta vizitojë lokacionin ku Mustafa akuzohet se ka kryer krime në luftë

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Annie Puess, mbrojtëse e viktimave të paraqitura në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka kërkuar që ta vizitojë lokacionin në fshatin Zllashë që Prokuroria Speciale thotë të ketë qenë kamp ndalimi më 1999, raporton Gazeta Express.

Ajo tha se është mirë të shkojnë atje të gjitha palët dhe se “duhet të njehet frika dhe ajo që kanë ndjerë viktimat”.

Por Julius Von Bone, avokat i Sslih Mustafës, tha se atje s’ka asgjë që ndihmon në gjykim.

“Nuk mendojmë se ka ndonjë gjë për të parë në atë vendndodhje. Prokuroria ka dhënë mjaft materiale sa i përket aktakuzës, atje s’ka gjë për të parë. Është një ndërtesë e vogël”, tha Von Bone.

Mustafa ishte i pari që u arrestua me urdhërarrest të Speciales në shtator të vitit të kaluar. Ai akuzohet për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë torturën e trajtimin çnjerëzor.

Në aktakuzë, Mustafa akuzohet se së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, ua hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllashë të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur. Mustafa akuzohet për vrasjen e njërit prej tyre.

Që në paraqitjen e parë para Tribunalit Special, Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzave.

Të ngjashme