Mbrojtja e Rexhep Selimit ankohet për politikë diskriminuese të Hagës, thonë se kjo ndikon në gjykimin e ish-komandantit të UÇK-së

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Mbrojta e Rexhep Selimit ka kontestuar mënyrën e ushtrimit të juridiksionit mbi akuzat ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së duke thënë se Gjykata Speciale ka një politikë diskriminuese të punësimit kundër shqiptarëve nga Kosova. Avokatët e ish-komandantit të UÇK-së pretendojnë se ky diskriminim komprometon paanshmërinë e gjykimit të Rexhep Selimit në Hagë. Këto vërejtje Gjykatës Speciale mbrojtja e ish-deputetit Selimi ia ka dhënë përmes një shkrese të dorëzuar në Dhomën e Apelit të DHSK-së më 14 maj 2021. Se nuk lejohen të punësohen shqiptarët në Gjykatën Speciale e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Me 14 maj, avokati i Rexhep Selimit, David Young i është përgjigjur Prokurorisë së Specializuar duke theksuar se politika e mospunësimit të shqiptarëve nga Kosova në cilindo pjesë të Gjykatës Speciale përbën diskriminim dhe ndikon direkt mbi të drejtën e Selimit për gjykim të paanshëm.

E gjithë kjo politikë diskriminuese, sipas Young, shkel Konventën Evropiane të së Drejtave të Njeriut, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’, teksa i njëjti thotë se ndikon edhe mbi mënyrën se si kjo gjykatë ushtron juridiksionin mbi të akuzuarin.

“Politika e përjashtimit të të gjithë shqiptarëve nga DHSK në praktikë nënkupton konkretisht që asnjë anëtar i grupit etnik të z.Selimit nuk lejohet të jetë pjesë e ndonjërit nga komponentëve të gjykatës, të përjashtuar nga puna të Regjistrim, njësisë së Viktimave, ZSP apo edhe në Zyrën e Mbrojtjes. Kjo lë mundësinë për paragjykim dhe anim, qoftë anim me vetëdije ose pavetëdije, duke krijuar një mjedis të privuar nga kultura e popullit dhe juridike e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e avokatit të Selimit.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Speciale duke kërkuar një përgjigje nëse lejohet të punësohen shqiptarët nga Kosova në këtë institucion.

Në përgjigje e tyre, Dhoma e Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes zyrës së tyre për informim, thotë se punësimi në këtë institucion kushtëzohet nga financimi që i bëjnë shtetet.

“DHSK-ja dhe ZPS-ja financohen përmes sistemit të Bashkimit Evropian të Politikës së Përbashkët për Mbrojtje dhe Siguri (CSDP). Prandaj, shtetësia e një shteti anëtar të BE-së ose e një shteti të tretë kontribues është kusht thelbësor për punësimin”, tha Specialja për Reporteri.net.

E për këtë çështje nuk ka folur Zyra e Prokurorisë së Specializuar me arsyetimin se për çështjet e punësimeve flet DHSK.

Ndërkaq për çështjen e pretendimeve të avokatit të Selimit, Prokuroria e Speciales deklaroi se për këto punë nuk i përgjigjen mediave.

“ZPS-ja i përgjigjet Gjykatës në lidhje me parashtrimet ligjore, jo median. Në lidhje me punësimin në Dhomat e Specializuara dhe ZPS, ju lutem dërgojani pyetjet kolegëve të mi në Dhomat e Specializuara”, tha Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagë.

Tutje në dokumentin 11 faqesh, të publikuar tek dokumentacioni i gjykatës, mbrojtja e Selimit thotë se Specialja asnjëherë nuk ishte dizajnuar si tribunal ndërkombëtar apo si një gjykatë e jashtëzakonshme, por se DHSK është e gjykatë e Kosovës. Prandaj, sipas tyre, çfarëdo strukture apo natyra e saj e veçantë nuk e turbullon faktin se Specialja funksionon mbi rendin juridik kosovar.

Në shkresën e nënshkruar nga mbrojtësit e Rexhep Selimit, David Young dhe Geoffrey Roberts, thuhet se Specialja i konsideron shqiptarët, për shkak të etnisë së tyre, si të anshëm.

“Për më tepër, zgjedhja e vendndodhjes dhe personelit të KSC ishte e justifikuar si e nevojshme për të siguruar paanshmërinë e Gjykatës dhe mbrojtjen nga frikësimi. Ky nocion i deformuar i “paanësisë” nënkupton që shqiptarët dhe shqiptarët e Kosovës nuk mund të konsiderohen në vetvete si të paanshëm për shkak të përkatësisë etnike të tyre”, thuhet në shkresën e avokatëve të Selimit, raporton Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Mbrojtja e ish-dhjetëshit të UÇK-së thotë se ai ka të drejtë për drejtësi të paanshme, të cilën Specialja me këtë praktike kundër shqiptarëve e ka dëmtuar rëndë.

“Z. Selimi ka një të drejtë të qenësishme si i akuzuar për t’u gjykuar në një gjykatë që mbështet parimet e drejtësisë dhe paanësisë, dhe për t’u gjykuar nga një institucion gjyqësor që respekton të drejtat e tij si për një gjykim të drejtë dhe për ta trajtuar në një mënyrë jo-diskriminuese”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Në përmbyllje të shkresës, shkruan Reporteri.net, avokatët e Selimit kanë kërkuar nga Specialja hedh poshtë aktakuzën kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së dhe të konfirmojë që DHSK zbaton një politikë diskriminuese dhe të paligjshme ndaj shqiptarëve.

“Nga ajo që u tha më lartë, mbrojtja prapë përserit kërkesen e saj gjyqtarit të procedurës paraprake që: a) të pranojë dhe konfirmojë që DHSK aplikon një politikë të paligjshme dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve kosovarë në përgjithësi dhe ndaj klientit tonë në veçanti; b) të hedh poshtë akuzën kundër z.Rexhep Selimit dhe 3) të caktojë një seancë dëgjimore mbi këtë kërkesë dhe t’i japë mundësi Mbrojtjes që të dëgjohet për këto çështje”, thuhet në fund të shkresës.

Kujtojmë që Rexhep Selimi së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin u arrestuan më 5 nëntor nën akuzën për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

Të ngjashme