Mosmbrojtja e të dhënave personale, dukuri shqetësuese

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 11:14 | Nga Kaltrina Zymberi

Në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është prezantuar një dokument, i cili i shqyrton praktikat e mbledhjes së informacionit gjatë zgjedhjeve dhe votimit si dhe shkeljet e mundshme të privatësisë të titulluar “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në kohën digjitale”.

Projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe kapaciteteve për mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtave të privatësisë, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve në Kosovë.

Aty u theksua se mbrojtja e të dhënave personale ende mbetet dukuri shqetësuese, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë thanë se BE-ja mbështet zgjedhjet e lira jo vetëm në Kosovë, por gjithkund aty ku ka qasje.

Shqetësimi i përfaqësuesit të kësaj zyre, Markos Sofroniou, ishte mos funksionalizimi i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë.

“Studimi ndihmon që të shpjegohet më mirë për parimet të cilat janë në Kosovë. Nuk është e rëndësishme që të kemi vetëm ligje, por duhet të kemi edhe ligjin e praktikuar që është në Kosovë. Agjencia për Mbrojtje e të Dhënave nuk është funksional dhe roli i saj është jashtë funksioni dhe BE-ja ka kërkuar që të kemi një komisioner për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka thënë Sofroniou.

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për legjislacion, Valdete Daka, nga radhët e NISMA-s tha se Qeveria e Kosovës është fajtore për mos mbrojtjen e të dhënave personale, por sipas saj, edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Ajo vazhdoi duke thënë se “përderisa po flitet për zgjedhjet, era zgjedhja po vjen”.

“Jemi dëshmitar të zhvillimeve teknologjike të cilat  edhe kanë kaluar në varshmëri. Nga ana e qeverisë nuk është marrë asgjë për mbrojtjen e të dhënave personale. Institucionet kanë dështuar në këtë aspekt sepse edhe të drejtat e njeriut shkelen vazhdimisht e këtu futet edhe e drejta për të votuar. Duke filluar nga partitë të cilat kanë detyruar të fotografojnë votën e lirë të qytetarëve. Shembull i fundit janë zgjedhjet në Drenas ku u ndëshkuan votuesit të cilët publikuan votën e tyre. Vota duhet të jetë e fshehtë”, ka thënë Bajrami.

Hulumtuesja, Betime Hoxha, duke prezantuar dokumentin tha se fshehtësia e votës është njëra prej pikave kryesore dhe vazhdon të jetë ende pikë shqetësuese e proceseve zgjedhore.

Sipas rezultateve të këtij hulumtimi në Kosovë ekziston një mungesë e vetëdijes nga aktorët zgjedhor. Gjithashtu mungesa e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka bërë që parregullsitë të jenë pjesë e pandashme e proceseve zgjedhore.

Të ngjashme