Mbyll me sukses punimet Konferenca e Pestë Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji e Inovacion 2016

Prishtinë | 30 Tet 2016 | 13:49 | Nga

Në Durrës, është përmbyllur me sukses të plotë Konferenca e Pestë Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion 2016, organizuar nga UBT – Prishtinë, Universiteti i Tiranës, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit.

Në përmbyllje të konferencës, rektori i UBT-së, prof. dr.Edmond Hajrizi tha ndër të tjera se kjo konferencë, e organizuar nga UBT, me partnerët ndërkombëtarë, është edhe një dëshmi për përkrahjen që UBT i jep punës kërkimore dhe shkencore dhe shkëmbimit të përvojave me profesorët dhe shkencëtarët nga universitetet më të njohura ndërkombëtare.

Konferenca sikur kjo janë një motivim shtesë për të gjithë studiuesit, si dhe një nxitje shtesë për punën e tyre hulumtuese në interes të të arriturave më të larta shkencore.

Ai gjithashtu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe i ftoi ata që të takohen vitin e ardhshëm, në konferencën e gjashtë të UBT-së për menaxhment, biznes dhe teknologji.

Pjesëmarrësit e konferencës i përshëndeti me një fjalë rasti edhe përfaqësuesi i EUROSIM-it, prof.dr. Felix Breitenecker, i cili vlerësoi UBT-në për nivelin e lartë të punimeve shkencore të paraqitura në konferencë dhe premtoi përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me UBT-në.

Konferenca zgjoi interesim të madh të profesorëve dhe ekspertëve të shumtë. Këtë më së miri e tregon pjesëmarrja e shumë shkencëtarëve, profesorëve dhe ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Austria, Greqia, Hungaria, Turqia, Polonia, Zvicra, Irlanda, Italia, Norvegjia, Gjermania, Franca, Brazili, Azerbajxhani, Kroacia, Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e shtete të tjera.

Përgjithësisht, në të gjitha sesionet e konferencës u paraqitën mbi 200 punime shkencore, ndërsa në konferencë morën pjesë mbi 300 pjesëmarrës.

UBT, përmes kësaj konference dhe konferencave të vazhdueshme, u krijon mundësi profesorëve dhe studentëve që të prezantojnë punën e tyre hulumtuese, në interes të studentëve, të punës kërkimore e akademike, po edhe në interes të publikut në përgjithësi.

Duke organizuar konferenca të nivelit ndërkombëtar, me bashkorganizator ndërkombëtarë, UBT dëshmon edhe një herë se është institucioni prijatar akademik në Republikën e Kosovës dhe në rajon, që nxit dhe përkrah punën hulumtuese të stafit akademik dhe të studentëve e ekspertëve në përgjithësi dhe që u krijon atyre mundësi pjesëmarrjeje në konferenca me nivel ndërkombëtar, për të përfaqësuar kështu hulumtimin dhe punën shkencore që bëhet në UBT.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme