Mbyllen dy barnatore dhe një kazino në Mitrovicë

Prishtinë | 23 Shk 2019 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me Policinë kanë kryer kontrolle inspektuese sipas detyrës zyrtare në disa subjekte afariste dhe tek lojërat e fatit në këtë qytet, ku janë mbyllur dy barnatore dhe një kazino.

Sipas njoftimit nga komuna, qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orarit të punës nga ato subjekte afariste të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00 dhe zhvillimi i tyre pa licencë.

“Drejtoria e Inspeksionit bën të ditur që këto subjekte afariste janë udhëzuar të pajisen me leje të veçanta për zgjatje të orarit të punës, por të njëjtit nuk e kanë respektuar një gjë të tillë.Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej dhjetë subjekte afariste, pas inspektimit u konstatua se dy barnatore nuk janë pajisur me leje për zgjatje të orarit të punës në bazë të Rregullores Komunale Nr. 03/2014 për caktim të orarit të punës dhe një kasino për mungesë të licencës”.

“Me këtë rast, Drejtoria e Inspeksionit kanë marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar përkohësisht zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve deri në eliminimin e parregullsive”,  thuhet në komunikatë.

Të ngjashme