MD certifikon 19 ndërmjetësues për rajonin e Mitrovicës

Prishtinë | 26 Maj 2017 | 14:01 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një ceremoni solemne, ka dhënë certifikatat e ndërmjetësimit për 19 ndërmjetësues të Rajonit të Mitrovicës, ku 14 prej tyre janë serbë dhe boshnjakë, të cilët do të punojnë në komunat e veriut.

Gjatë kësaj ceremonie, Ministrja Hoxha, theksoi se me zhvillimin e mëtejmë të  institucionit të ndërmjetësimit, po lehtësohet  puna në gjyqësorin e Republikës së Kosovës dhe ky është një hap drejt integrimit të komuniteteve  në sistemin tonë të drejtësisë.

“Profesionet e lira, në veçanti Ndërmjetësimi, shënon hap përpara në ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi Ministrja Hoxha dhe vuri në dukje se profesionet e lira kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në sistemin e drejtësisë, të cilat tani do të shtrihen në gjithë  territorin e vendit.

Ministrja Hoxha kërkoi nga ndërmjetësuesit e rinj që punën e tyre ta kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm dhe njëherësh duhet pasur parasysh ndjeshmërinë e fushë-veprimtarisë se tyre.  Ministrja i inkurajoi të pranishmit në ushtrimin e profesionit në pajtim me ligjin duke theksuar se fuqizimi i mëtejmë i këtij institucioni, është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme