MD-ja ndan mjete për rekrutimin e prokurorëve për Departamentin e Krimeve të Luftës

Prishtinë | 01 Qer 2021 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, pritën në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Gjatë takimit u diskutua çështja e sigurimit të mjeteve buxhetore me qëllim të shtimit të numrit të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit tjetër mbështetës në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Ministrja Haxhiu e njoftoi Kryesuesin Maloku dhe Kryeprokurorin Isufaj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2021. Në këtë drejtim, bazuar në programin qeverisës dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, jemi të përkushtuar që organeve të zbatimit të Ligjit të iu krijojmë kushte për punë sa më efikase me qëllim të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Ministrja Haxhiu theksoi se, Ministria e Drejtësisë është e gatshme që përmes rishikimit të ligjit të buxhetit të ndajë mjete nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë të cilët do të mundësojnë rekrutimin e 4 prokurorëve të rinj, 6 bashkëpunëtorëve profesional dhe 2 staf tjetër mbështetës përkatësisht përkthyes në Departamentin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Tutje, Ministrja Haxhiu theksoi se është nevojë dhe domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve në këtë departament për faktin se tashme shumë shpejtë do të miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore përmes të cilave eliminohen pengesat dhe rrjedhimisht mundësohet hetimi por edhe gjykimi në mungesë i kriminelëve të cilët kanë kryer krime lufte.

Me këtë rast Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Maloku dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Isufaj, e falënderuan Ministren Haxhiu për gatishmërinë e sigurimit të mjeteve buxhetore nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, dhe shprehën përkushtim për bashkëpunim me Mistrinë e Drejtësisë me qëllim të adresimit të sfidave me të cilat haset sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme