MD po pret kërkesën zyrtare të familjes Dehari (Video)

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 08:21 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur se dikasteri që drejton ajo është në pritje të kërkesës zyrtare të familjes Dehari lidhur me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për zhvillimin e një hetimi të pavarur rreth rastit të vdekjes së Astrit Deharit.

E pyetur nga gazetarët pas një vizite që kishte në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Hoxha tha se sa i përket Ministrisë së Drejtësisë i kanë marrë të gjitha masat.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat në kuadër të MD-së; prokuroria, kuptohet sa i përket punës së tyre, është duke vazhduar. Ne në mënyrë zyrtare tani jemi në pritje të kërkesës së familjes dhe do të veprojmë sipas rekomandimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast. Pra jam shumë e interesuar që rasti të zbardhet sa më parë”, ka shtuar ajo.

Aktivisti i Vetëvendosjes pat vdekur në nëntor të vitit të kaluar në hapësirat e Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Pa pritur hetimet, Vetëvendosje doli me qëndrim se Dehari është vrarë.

Të ngjashme