MDIS: Vazhdon unifikimi i shoqatave në diasporë

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike vazhdon projektin për unifikimin e shoqatave edhe në Cyrih.  MDIS-i ka vazhduar takimet me qëllim të unifikimit të shoqatave kulturore që veprojnë në Zvicër.

Me këtë qëllim, të enjten, në Cyrih, përfaqësues të MDIS-it kanë zhvilluar një takim me shumicën e shoqatave kulturore që veprojnë në kantonin e Cyrihut.

Drejtoresha e Departamentit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport në MDIS, Maliqe Hashani, ka thënë se qëllimi i Ministrisë së Diasporës është t’i unifikojë shoqatat kulturore për organizime të veçanta, duke krijuar një javë ose muaj të kulturës shqiptare, ku të gjitha shoqatat do të shfaqeshin me performanca të veçanta.

Një ide e tillë u prit mjaft mirë nga përfaqësuesit e shoqatave, të cilët pohuan se bashkimi i tyre në aktivitete do të ishte hap i duhur dhe i një rëndësie të veçantë.

U dakordua që takimet e tilla të vazhdojnë deri në krijimin e një Këshilli apo kryesie të shoqatave shqiptare në kantonin e Cyrihut. Projekti i unifikimit të shoqatave shqiptare në diasporë ka filluar në Austri dhe do të vazhdojë edhe në vendet e tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme