“Më mirë bursa për studentë sesa rritje e pagave për qeveritarët”

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 13:39 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ulja e shumës së bursës për studentët e shkëlqyeshëm ka nxitur dhe reagimin e Forumit Rinor të partisë “Fjala”. Në një konferencë për medie të mbajtur para objektit të qeverisë, përfaqësuesit e të rinjve të këtij subjekti, Marigona Krasniqin dhe Hamit Gashi, theksuan se më mirë do të ishte të rriten bursat e studentëve sesa pagat e kabinetit qeveritar.

Marigona Krasniqi theksoi se ulja e bursave ndikon në destimulimin e studentëve.

“Me uljen e bursës në radhë të parë po nënçmohet studenti, po destimulohet. Kjo është e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit kur dihet se një rini e arsimuar është shpresë për një të ardhme më të ndritur. Bursa është meritë e studentëve dhe u takon atyre për përkushtimin dhe rezultatet e arritura në studime dhe si të tillë duhet ta gëzojnë. Zvogëlimi i bursës së studentëve në një anë dhe rritja e pagës së kryeministrit në anën tjetër është plotësisht e papranueshme dhe jo e drejtë”, tha Krasniqi.

“Paga e kryeministrit dhe e ministrave të qeverisë së Republikës së Kosovës është më e larta në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu edhe paga e deputetëve është më e larta në rajon. Dhe kjo nuk i mjafton kësaj qeverie, ata marrin vendim për rritje pagash për kryeministrin dhe ministrat dhe këshilltarët politikë. Ndërsa papunësia në Kosovë është më e larta në rajon dhe Europë. Rreth 40% e popullit të Kosovës jeton në varfëri”.

“Zvogëlimi i bursës nga 900 euro në 600 dhe tash në 500 euro është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet studentëve. Andaj ne kërkojmë që ky vendim të kthehet mbrapa dhe studentët të marrin bursën prej 900 eurove sa kishin në fillim”.

“FJALA propozon që Qeveria ta mbështesë arsimin në Kosovë dhe përmes Ministrisë se Arsimit duhet mbështetur Universiteti i Prishtinës. Qeveria në vend të buxhetit që po shpenzon për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, duhet të alokojë buxhetin në arsim”.

Ditë më parë bordi i UP-së ka marrë vendim që bursat që ndahen për studentët e dalluar të zvogëlohen nga 600 në 500 euro. Më herët, kjo shumë ishte zvogëluar nga 900 në 600.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën e kaluar është takuar me disa nga përfaqësuesit e studentëve të cilëve iu premtoi se do të rishikohet vendimi.

Të ngjashme