Me propozim të Arben Vitisë rikthehen masat kundër Covid-19 që dikur ai i shkelte vet

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Arben Vitia u rikthye me masa.

Ministrit të Shëndetësisë iu miratuan propozimet për mbyllje të gastronomisë e kufizim të pjesshëm të lëvizjes, që do të aplikohen nga e mërkura, për 11 ditë.

Këto janë veprimet e para të tij për parandalim të pandemisë COVID-19, në mandatin e tij të dytë.

Por me këso vendime, ky u bë i njohur vitin e kaluar, kur qëlloi të udhëhiqte shëndetësinë pasi u shfaq koronavirusi në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Vitia, në bashkërendim me Kryeministrin Albin Kurti, mbylli gati gjithë vendin pas 13 marsit. Për mbamendje janë metodat e ndarjes së grupeve të qytetarëve për të lëvizur, sipas numrit të letërnjoftimit.

Por kujdesin gjatë paraqitjeve publike e zbehu kah fundi i mandatit të parë, kur u rrëzua qeveria Kurti 1 e u liruan masat. Ai mori pjesë e mbajti fjalim para shumë personave në Prishtinë, në përvjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje, më 12 qershor 2020.

Partia e tij mblodhi qytetarë edhe gjatë fushatës zgjedhore të shkurtit 2021, ani pse në ambiente të jashtme. Por vetë Vitia nuk është se s’u tubua brenda zyrave, me aktivistët e degës së Prishtinës. Në këtë komunë, subjekti i tij u gjobit nga inspektorati, obligim që tashmë e ka paguar.

Tash, si ministër i riemëruar, po pranon se fushata ndikoi në rritjen e infeksionit me COVID-19, por paksa me arsyetim.

“Çfarëdo tubimi masiv është super shpërndarës. Jeta dinamike shpeshherë ndikohet edhe nga faktorë të paparashikuar”, deklaroi Vitia në konferencën e së hënës.

Të ngjashme