Me publikimin e listave të veteranëve, Prokuroria dëmtoi rastin

Prishtinë | 22 Sht 2018 | 08:12 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Publikimi i listave të veteranëve të rrejshëm nga Prokuroria është bërë me qëllim të dështimit të zbardhjes së rastit të njohur si “Veterani”, vlerëson Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Miftaraj, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se përfshirja nga Prokuroria në aktakuzën e rreth 20 mijë veteranëve do të pamundësojë që të vendoset drejtësia në afat të arsyeshëm kohor të rastit, siç tha ai, më të madh që nga paslufta.

“Në radhë të parë, fatkeqësisht Prokuroria e Shtetit si duket me qëllim të diskreditimit të këtij rasti, dështimit të këtij rasti, ka vendosur që në kuadër të aktakuzës, pjesë përbërëse e aktakuzës të jenë pothuajse 20 mijë qytetarë të Kosovës, që sipas saj që kanë dalë në publik, del se një numër i madh i tyre janë veteranë të rrejshëm, por ka edhe prej tyre që kanë qenë veteranë të vërtetë”.

“Një qasje e tillë sigurisht se në një proces gjyqësor do të ishte maratonike, për arsye se një avokat i 12 të akuzuarve tani më zyrtarisht ka të drejtë t’i ftojë të gjithë si dëshmitarë dhe nëse të gjithë do të ftohen si dëshmitarë atëherë ky proces do të zgjaste me vite ose me dekada, në njëfarë mënyre do të pamundësonte që ky rast dhe rasti më i madhi që nga paslufta të trajtohej në një afat kohor të arsyeshëm dhe të jepet drejtësi në këtë aktakuzë”, deklaroi ai.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka komentuar edhe kërkesën e prokurorisë për ndalimin e pensioneve të veteranëve.

Sipas tij, ndalimi i pensioneve pa një vendim gjyqësor është i pamundur, pasi kjo e drejtë i është njohur nga komisioni për verifikimin e veteranëve.

Madje, Miftaraj mendon se e gjithë kjo është duke u bërë për ta mashtruar publikun.

“Do të ketë mision të pamundur që në bazë të ligjit, një gjyqtar i caktuar të marrë vendim për të  suspenduar apo për të ndalur pensionet e të gjithë veteranëve të luftës, qoftë ata të vërtetë, qoftë ata të rrejshëm, pasi që një e drejtë e tillë i është njhohur tashmë nga komisioni. E vetmja mënyrë që veteranëve të rrejshëm t’i ndalet pensioni, duhet të bëhet përmes një vendimi gjyqësor”.

“Sidoqoftë, kjo nuk bëhet përmes masave të përkohshëm siç është proceduar përmes Prokurorisë. Kjo nuk duhet të behët për të mashtruar publikun se kinse duam të bëjmë diçka, dhe të ndalim pensionet, e cila është juridikisht e pamundshme. Por, është dashur që rastin ta drejtojnë në gjykatë dhe fokusi të jetë ndaj personave të komisionit dhe kështu siç e kanë bërë”.

Mirëpo Miftaraj për gjithë këtë proces propozon një zgjidhje.

Ai beson që trajtimi i këtij rasti në mënyrë të pavarur ose shpallja e procesit të verifikimit të veteranëve si i kundërligjshëm do të ishin zgjidhjet më të mira.

“Zgjidhja e këtij rasti besoj që duhet të shkojë paralelisht nëpërmes dy proceseve. E para, është përmes procesit juridik përmes procesit gjyqësor që rasti të kryhet në mënyrë të pavarur të paanshme, fatkeqësisht prokuroria me veprimet e saj e ka bërë këtë pothuajse një mision të pamundur”.

“Përderisa në aspektin politik besoj që Kuvendi, Qeveria tanimë kanë parë që kemi një numër jashtëzakonisht të veteranëve të rrejshëm dhe duhet të shohin mundësitë ligjore që përmes ligjit apo mundësive të tjera njëfarë mënyrë ta shpallin këtë proces të kundërligjshëm”.

Ditë më parë, në medie është publikuar lista e cila përmbante emrat e veteranëve të cilët konsiderohen “të rrejshëm”.

Për shkak të lëshimit të bërë nga Prokuroria, pjesë e kësaj liste, dolën të ishin edhe personat të cilët janë verifikuar si pjesëmarrës të vërtetë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme