Më shumë se tre vjet Gjykata e Tenderëve me bord të pakompletuar

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë më shumë se tre vjet qëkur Bordi i Organit Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) funksionon me vetëm tre anëtarë, nga pesë sa do të duhej t’i kishte. Kjo ka mbingarkuar punën e Organit që merr vendime për ankesat e operatorëve ekonomikë lidhur me tenderët e institucioneve publike. Gjithashtu ka zgjatur kohën e marrjes së vendimeve.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, anëtarët e OSHP-së emërohen nga Kuvendi pas propozimit të Qeverisë. Zyra për medie e Kuvendit ka thënë se lidhur me moskompletimin e Bordit duhet të pyetet Qeveria, e cila deri më tani nuk ka dërguar propozime në Kuvend për plotësim të këtij Bordi. Ndërkohë që Qeveria nuk kanë treguar se për çfarë arsyesh nuk kanë dërguar ende propozime ose cilët janë hapat që kanë marrë për plotësim të këtij Bordi, i cili funksionon me tre anëtarë që nga korriku i vitit 2017.

Sipas hulumtuesit në organizatën “Demokraci plus”, Agon Hysaj, funksionimi me vetëm tre anëtarë e ka vështirësuar punën e OSHP-së.

“Prej korrikut 2017 është me tre anëtarë, ndërsa numri i ankesave është rritur nga 553 ankesa në vitin 2017, në rreth 1000 në vitin 2019. Ritmi i njëjtë i ankesave është edhe në vitin 2020”, ka theksuar Hysaj.

Ai ka thënë se është rritur edhe mesatarja e kohës për të marrë vendime.

“Në vitin 2017 ishte 38 ditë, këtë vit është 44 ditë. Për shkak të pandemisë COVID-19 seancat janë të mbyllura, pa pjesëmarrje të palëve, mirëpo kjo nuk e ka shkurtuar kohën mesatare të marrjes së vendimeve”, është shprehur Hysaj.

Ai ka thënë se problemi i Qeverisë Hoti për të siguruar shumicën në Kuvend mund të bëjë që ky bord të mbetet edhe pa tre anëtarët aktualë, të cilëve mandati pesëvjeçar u skadon në mars të vitit që vjen.

“Tre anëtarëve aktualë u skadon mandati në mars 2021. Për shkak se qeveria po ka probleme të ketë votat e mjaftueshme për të kaluar ligjet në Kuvend, ekziston rreziku që t’iu skadojë mandati dhe OSHP-ja të mbetet pa bord”, ka theksuar Hysaj.

Kjo, sipas tij, do të shkaktonte probleme të mëdha pasi operatorët ekonomikë nuk do të mund të ankoheshin dhe do të rritej mundësia që autoritetet kontraktuese të shkelin më shumë Ligjin e Prokurimit Publik.

Për mbingarkesë në punën e tij është ankuar edhe kreu i OSHP-së, Blerim Dina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme