Mediat e regjimit serb: 30 forca speciale shihen në Zubin Potok

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Mediat e regjimit autokratik të Serbisë kanë raportuar se 30 forca të Njësisë Speciale të Kosovës janë parë të pranishme të premten në fshatin Jabukë të Zubin Potokut.

Sipas tabloidit serb Novosti, i cili është nën kontrollin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, një kolonë e madhe e automjeteve të policisë së Kosovës janë parë në afërsi të Zubin Potokut.

Sipas raportimit të tabloidit serb, kolona përfshinte disa automjete Toyota Land Cruiser, një automjet të blinduar Hummer H1 dhe një buldozher.

Ndërkaq, portali serb në veri të Kosovës, Kosovo-Online, raporton se pas informacioneve të publikuara në mediat e Serbisë, një gazetar i portalit është nisur sot në drejtim të fshatit Jabukë, por se është ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë rrugës në drejtim të fshatit, transmeton Paparaci.

Shefi i turnit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, citohet nga portali Kosovo-Online t’i ketë thënë gazetarit se ka kontaktuar me autoritetet në Prishtinë dhe se për shkak të sigurisë së tij personale nuk ka mundur ta lejojë udhëtimin e tij drejt fshatit Jabukë.

“Oficerët e Policisë së Kosovës ishin të sjellshëm dhe thanë se thjesht po bënin punën e tyre”, shkruan Kosovo-Online.

Fshati i përmendur nuk është larg nga vendkalimi administrativ në Bërnjak, afër të cilit serbët vendosën së fundi barrikada në përpjekje për të bllokuar lëvizjen e lirë. 

Të ngjashme