“Medica Gjakova” shpalos punën ndër vite me të dhunuarat e luftës, promovohet libri “Unë jam Anemonë”

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 13:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Medica Gjakova” ka shpalosur punën ndër vite me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, që ka për qëllim përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik të grave të mbijetuara të dhunës seksuale dhe në baza gjinore gjatë luftës në Kosovë, si dhe integrimin e tyre në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, raporton Ekonomia Online.

Në këtë diskutim, studentët e Departamentit të Psikologjisë u njohën me pasojat psikologjike dhe fizike të dhunës seksuale gjatë luftës.

Me këtë rast u promovua dhe libri “Unë jam Anemonë”, i cili përmban 25 rrëfime të grave dhe një burri, të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë, anëtarë të “Medica Gjakovës”.

Erëblir Kadriu, asistent në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka folur si duhet të ndihmohen këto viktima për riintegrimin e tyre.

“Ajo çka duhet të kemi parasysh kur flasim për pasojat, mendoj se duhet të ndalemi në tri rrafshe, në aspektin personal, në aspektin social por edhe në atë të riintegrimit. Përjetimet apo fatkeqësitë që viktimat e kanë përjetuar nëse nuk marrin trajtim, ato vazhdojnë të kenë ndikime në jetën e tyre. Viktimat duhet të trajtohen me integritet. Aspekti social është një prej aspekteve që ndihmon edhe në riintegrimin e tyre”.

“Ne duhet të shmangeni nga ndjenja e turpit dhe e fajësisë. Tragjeditë që ndodhin, ndodhin për shkak të situatave që janë jashtë kontrollit të individit. Kur shmangemi nga ideja e turpit mendoj se na ndihmon t’i shmangemi edhe paragjykimeve që mund të ekzistojnë ndaj këtyre individëve”, tha ai.

Salie Gajtani-Osmankaq, autore e librit “Unë jam Anemonë” se në libër janë 25 rrëfime, dhe sfidë ishte t’i bindin që të flasin.

“Ne nisëm këtë rrugëtim para pandemisë dhe kishim plan ta promovojmë edhe në vende të tjera. Pandemia e stopoi, por nuk do të ndalemi. Ky libër në vete përmban storie të 24 grave dhe një burri që janë përzgjedhur në mënyrë rastësore. Puna më e vështirë ka qenë që gratë të binden të flasin”, tha ajo.

“Është trajtuar gjithçka me shumë kujdes që nga ruajtja e identitetit, jo e lehtë por e domosdoshme që të kemi një libër qe ka peshë historike. Sot është mirë që të jetë edhe në duart e atyre që duan ta lexojnë, është e rëndësishme që ta dini sepse duhet t’i tregojmë botës për një të vërtetë të luftës që është heshtur për shumë vite”, tha tutje ajo.

Shpresa Frokaj, këshilluese psikosociale në organizatën “Medica Gjakova”, tha se dhunimet seksuale përdoren si mjet lufte, ndërsa kritikoi edhe institucionet që sipas saj nuk kanë bërë sa duhet për këtë kategori.

Frrokaj tha se është shumë e vështirë të perceptohet që në luftën e të vitit 98/99 janë bërë dhunime seksuale si mjet lufte.

“Ata nuk kanë pasur çështje të përfitimit seksual kur kanë dhunuar gratë dhe vajzat në vendin tonë, por e kanë përdorur si mjet lufte që gjeneratat që vijnë të jenë të mbijetuar indirekt të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Ajo shtoi se gjatë punës në “Medica Gjakova” ka qenë e nevojshme edhe puna me fëmijët e të dhunuarve gjatë luftës pasi që edhe këta fëmijë kanë pasur pasoja dhe trauma.

Frrokaj theksoi se ka pasur raste kur personat që kanë qenë viktima të dhunës në luftë kanë qenë më agresivë ndaj fëmijëve të tyre.

“Dje në Gjakovë e kemi pasur Ditën e Çlirimit por në organizatën tonë nuk ka ditë çlirimi asnjëherë. Çdo ditë është luftë, çdo ditë bisedohet për luftën, dokumentohet për luftën… Për neve nuk ka ditë çlirimi deri sa ngjarjet e të dhunuarve gjatë luftës ta gëzojnë drejtësinë”.

“Për gratë e dhunuara gjatë luftës, fatmirësisht stigma nuk është qysh ka qenë. Më herët, në Kosovë është bërë një mohim institucional, personal e shoqëror”, theksoi Shpresa Frrokaj.

Të ngjashme