Mediumi austriak ngre pikëpyetje nëse po ringjallet shkëmbimi i territoreve

Prishtinë | 06 Shk 2022 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është e re. Mediumi austriak “Kosmo” ngre pikëpyetje nëse kjo ide po ringjallet. Shkas u morën dy deklarata, të cilat vijnë nga një figurë e lartë e PDK-së dhe një ish-luftëtar i UÇK-së.

Brenda vetëm një jave, nga Kosova erdhën dy deklarata, të cilat trajtonin edhe një herë shkëmbimin e territoreve.”Kosmo” shkruan se siç u dëgjua nga Prishtina, kjo është një zgjidhje më e mirë se formimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe do t’i parandalonte konfliktet e ardhshme.

Këtë ide e ka rikthyer në vëmendje nënkryetari i partisë kryesore opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja. Ai tha se nëse do t’i duhej të zgjidhte mes Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shkëmbimit të territoreve, ai është për shkëmbimin e territoreve, shkruan mediumi austriak.

Me Bujën është pajtuar edhe ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, i cili ka thënë se i vetmi epilog për ta shmangur luftën është ndryshimi i kufirit, i cili do ta eliminonte ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe atë të Kosovës në Serbi. Sipas mediumit austriak, ai sugjeroi që Leposaviqi dhe Zubin Potoku t’i jepeshin Serbisë. Megjithatë, ai nuk është për “shkëmbimin” veriut të Mitrovicës me Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin.

Ideja e shkëmbimit lindi, edhe pse jozyrtarisht, gjatë dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kur Federica Mogherini ndërmjetësoi si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguris. Shumë anëtarë të Bashkimit Evropian e kundërshtuan menjëherë këtë propozim, përfshirë Gjermaninë. Sipas parimit etnik, shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje dhe hap kutinë e Pandorës për ndryshime të mëtejshme të kufijve në Ballkan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme